Nga Nikoleta Kovaçi
Fahri Kaçanolli betohet se ka nisur një betejë me të gjithë sistemin e drejtësisë! Edhe pse është 66 vjeç, edhe pse i biri është përzier në një ngjarje jo vetëm të rëndë, por edhe familjare, burri që e ka rritur vetëm Arturin, betohet se do të luftojë deri në vdekje që djali i tij të dalë nga burgu, pasi sipas tij është i pafajshëm! Ndërsa beson te vetja se do të arrijë të dalë mbi personat që ndikuan në sistemin e drejtësisë që djali i tij të dënohet me burgim të përjetshëm, për një krim që nuk e ka bërë, Kaçanolli në rrëfimin e gjatë për “Shekulli”-n qartëson: “Nëse gjithë sistemi i drejtësisë në vend është i korruptuar, për Arturin do të gjej rrugë në Gjykatën e Strasburgut, e kudo të më dëgjohet fjala!”
Fahri Kaçanolli, teksa rrëfehet për pasngjarjen e rëndë dhe tronditëse ku dy gra u gjetën të pajetë në banesën e tyre, shtëpi dhe viktima ku Arturi ishte edhe stërnip, përmend emra dhe fakte, tregon prapaskena dhe ushtrim dhune mbi të birin dhe të dënuarin tjetër me burgim të përjetshëm, vetëm e vetëm që emri i Artur Kaçanollit të përfshihej në atë akt të frikshëm. Kaçanolli, i cili i ka rritur dy djemtë e tij i vetëm pasi nëna e tyre mësohet se është larguar nga familja që në vitin 1991, kohë kur Arturi ishte 5 vjeç, ndërsa vëllai i tij, Rifati, ishte 9 vjeç, thekson se djali i tij është përfshirë në atë histori vetëm e vetëm për shkak të pronave. Teksa vijon të tregojë historinë se çfarë rëndësie kanë pronat për të implikuar djalin e tij në atë krim, burri shpjegon faktin se në atë shtëpi është nip edhe një person publik dhe mjaft i njohur në të gjithë vendin. Ai thotë se ka qenë pikërisht ky person, që ka insistuar që djali i tij të lihet në një dënim të rëndë, ndërsa ai në fillim është arrestuar vetëm për armëmbajtje pa leje, pasi policia gjatë kontrollit të banesës ka gjetur ca fishekë të vjetër. Por si e komenton Fahriu, dënimin me burgim të përjetshëm të të birit që akuzohet për vrasjen e tezeve të nënës së tij!
Rrëfimi
Z. Kaçanolli, pak ditë më parë, gjykata e Durrësit dënoi me burgim të përjetshëm tët bir për vrasjen e kunatave Vava. Ju keni pretenduar se djali është i pafajshëm, çfarë ka ndodhur vërtet me Arturin?
Me Arturin ka ndodhur diçka: është nip në të njëjtin vend me Arqile Gorenë. Më saktë që të dy, im bir dhe Arqile Goreja kanë të njëjtën mundësi trashëgimie. Kështu, si fillim njëherë, im bir është i pafajshëm sepse ai ka qenë në shtëpi me mua natën e vrasjes; pra ai nuk ka qenë në vendin e vrasjes dhe as që ka marrë pjesë në ngjarje. Së dyti, im bir nuk ka lidhje me atë ngjarje, edhe pse prokuroria e ka modifikuar ngjarjen deri në këtë pikë, për të implikuar tim bir, pasi tashmë në këtë mes ka hyrë një çështje pronësie dhe se djali im do të ishte trashëgimtar në ato prona, për shkak se është trashëgimtare edhe e ëma e tij.
Unë besoj se djali im është i pafajshëm pasi unë e njoh se çfarë djali kam dhe se atë natë ka qenë me mua në shtëpi. Ai është dhunuar, e jo vetëm ai por edhe Velson Elmazi. Im bir është dhunuar që të pranonte se kishte qenë ai personi që kishte dërguar Indrit Shaqen në shtëpinë e viktimave, ndërsa Elmazi është dhunuar që të implikonte Arturin si personi iu ka treguar se çfarë kishte në banesën e tezeve të nënës së tij.
Si është mësuar se është dhunuar edhe Elmazi dhe a keni bërë kallëzim për dhunën ndaj djalit?
Këtë djalin, Arturi nuk e njihte fare. Ky e ka pranuar dhunën në gjykatë duke i thënë gjykatës se ishte rrahur barbarisht vetëm e vetëm që të pranonte implikimin e Arturit, ndërsa edhe në një material përgjues të bisedës së tij me nënën e vet, që është shfaqur në gjykatë, Elmazi i thotë se i kanë premtuar se do ta lironin. Madje pikë për pikë i thotë: Shiko bir se po mbetesh në burg dhe nuk ka çfarë të të bëj – dhe ai i përgjigjet- Po jo o ma, më kanë premtuar se do më lirojnë vetëm të pranoj që Artur Kaçanolli na ka treguar për mallin që gjendej në shtëpinë e grave. Ndërsa në lidhje me dhunën e ushtruar mbi tim bir, do të vijë momenti e do të merrem edhe me këtë pjesë, por njëherë do të merrem me drejtësinë për t`i hequr burgun e përjetshëm, sepse nuk mund të dënohet njësoi djali im që nuk ka qenë i pranishëm në ngjarje dhe se nuk kanë asnjë provë për të, e njësoj autori i krimit, i cili e ka pranuar edhe në gjykatë.
Z. Kaçanolli, çfarë lidhjeje ka Arturi me autorin e ngjarjes? Mbani mend, çfarë ka ndodhur vërtet?
Asnjë lidhje. Ai është i rritur në lagjen tonë dhe sigurisht që njihemi. Ai të shumtën e kohës rri në burgje dhe im bir nuk është edukuar me atë frymë. Nuk ka asnjë lloj shoqërie me të dhe në mënyrë kategorike nuk ka biseduar ndonjëherë për gjëra që ka shpikur policia dhe prokuroria e tashmë i ka pranuar edhe gjykata. Por gjithçka do të zbardhet shumë shpejt, se unë e di se im bir është “kryqëzuar” nga fakti se Arqile Goreja është më i fuqishëm se unë, por unë jam me të drejtën time dhe do të fitoj. Arturi është trashëgimtar në atë pasuri, pasi djali tjetër dhe vajza nuk kanë të drejtë sepse janë larguar dhe me sa arrij të kuptoj tani, gjithçka është bërë vetëm e vetëm që Arturi të zhdukej nga të qënurit pjesë e asaj pasurie.
Po si doli emri i Arturit në vrasje, se ngjarja ka qenë shumë e rëndë?
Nuk e di se si e kanë implikuar, por di që në kohën e mortit djemtë kanë qëndruar në familje duke iu ndihmuar kushërinjve të vet, Arqilea hynte dhe dilte nga dhomat ku ishin duke ngrënë bukë njerëzit e familjes duke thënë: Vrasësi ndoshta është edhe duke ngrënë me ne. Aty përjashta, më kanë thënë se rrinte gjatë gjithë kohës një polic dhe Arqilea komunikonte me ta, e me sa duket ai i ka bërë mirë llogaritë.
Pse jeni kaq i bindur dhe a e dini se po akuzoni një person për gjithçka i ka ndodhur djalit tuaj? Ai nuk është as prokuror dhe as gjyqtar?!
Po! Keni të drejtë; ai nuk është as prokuror e as gjyqtar po është më i fuqishëm se prokurorët dhe gjyqtarët. Ai ka pushtet dhe fuqi ekonomike, të cilat nuk i kam patur ndonjëherë dhe as nuk kam mundësi t`i kem. Unë kam hyrë edhe në zyrën e kryeprokurorit të Durrësit, i cili më ka pritur, më ka dëgjuar dhe më ka premtuar, ndërsa aty ka ardhur edhe prokurorja e çështjes. Kur jam larguar, kryeprokurori i Durrësit kërkoi pak kohë që ai të verifikonte pretendimet e mia dhe më tha: xhaxhi Fahriu, ku ka ndenjur deri tani të rrijë edhe një muaj dhe do të merrem unë me këtë çështje. E besova se ishte djalë malësie dhe se isha i bindur se im bir ishte i pafajshëm, paçka se më kishin thënë edhe më parë se për atë çështje prokuroria kishte një presion të madh.
A e keni pyetur Arturin ndonjëherë për ngjarjen dhe çfarë iu ka thënë?
Arturi nuk ka marrë pjesë në krim, se po të kishte marrë pjesë, jo burg por duhet varur. E kam patur në shtëpi dhe jam i sigurt pasi unë e ai jena gjithçka për njëri-tjetrin, pasi si vajza ashtu edhe djali tjetër janë të larguar me familjet e tyre e unë e ai jena gjithë kohës thuajse bashkë. Nëse Arturi do të kishte atë dorë, ai s`kishte nevojë t`i ndante paratë me të tjerë, po mund të shkonte i vetëm dhe t`i merrte dhe t`i mbante për vete. Arturi me ka thënë dhe konfirmuar faktin se nuk ka gisht në atë histori dhe se gjithçka është trill i prokurorisë dhe i policisë. Besoj se do ia dal, pasi jam me të drejtën time. Unë do të luftoj deri në pikën e fundit për tim bir, sepse ai është gjithçka kam në jetën time dhe është i pafajshëm!
Gazeta "Shekulli"