Lionel Mesi është njeriu i rekordeve në futboll. Ndoshta rekordin e djeshëm nuk donte ta thyente, por është sërish në historinë e kampionatit spanjoll për penalltitë e humbura.
Ditën e djeshme, argjentinasi nuk arriti të mposhtte portierin kundërshtar dhe e shkroi emrin në librin e errët të rekordeve të Barcelonës. Ai ka humbur 8 penallti me fanellën e katalanasve, si askush tjetër në historinë e kampionatit spanjoll. Këtë rekord negativ e mbante Samuel Eto, ndërsa tani e ka Lionel Mesi. “Pleshti” ka humbur penalltinë e katërt gjatë këtij kampionati duke treguar se në këtë aspekt duhet të përmirë- sohet akoma më shumë.
Në këtë sezon, katalanasit nuk kanë pasur marrëdhënie shumë të mira me 11-metërshat dhe diçka e tillë është vënë re edhe nga dy sulmuesit e tjerë. Edhe Suarez bashkë me Nejmar kanë humbur nga dy penallti, që e çojnë në tetë numrin në total të penalltive të gabuara. Pavarësisht këtij fakti, katalanasit janë një skuadër që nuk e vuajnë këtë fakt dhe i fitojnë ndeshjet pavarësisht se nuk tregohen të saktë nga pika e bardhë e 11- metërshit.
Skuadra e Luis Enrikes do të mbahet mend edhe për një penallti spektakolare gjatë këtij sezoni, e cila u ekzekutua me dy pasime dhe bëri xhiron e botës. Megjithatë, diçka e tillë nuk i ndihmoi aspak futbollistët për të prishur “magjinë” dhe lufta me penalltitë po vazhdon.