Anëtarët aktualë të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste nuk janë më të tillë. Mbledhja e 9 marsit qe e fundit për ta. Kongresi Zgjedhor i PS, më 19 mars, do të zgjedhë edhe antarët e rinj, duke ndërmarrë edhe një shpërndarje të re përfaqësimi.

"Propozimi i kandidaturave për anëtarë të Asamblesë Kombëtare bëhet nga delegatët e Kongresit të PS. Në takim marrin pjesë delegatët e zgjedhur me parimin një anëtar një votë dhe delegatët ex officio. Takimi i delegatëve zhvillohet në bazë qarku dhe mbledhja drejtohet nga drejtuesi politik i rajonit, pra koordinatori socialist," – thuhet në udhëzimin e kryetarit të Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi.

Norma e përfaqësimit për anëtarët e Asamblesë Kombëtare që zgjidhen nga Kongresi është një anëtar në Asamblenë Kombëtare për 500 anëtarë partie. Ky udhëzim cakton dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët. "Kandidaturat që do të propozohen për anëtarët e Asamblesë Kombëtare të PS duhet të plotësojë këto kritere: arsim i lartë, ku përparësi kanë kandidaturat me grada e tituj shkencorë; përgjegjshmëri politike; kontribut dhe angazhim politik aktiv në strukturat e partisë në zbatim të programit të PS e të reformave të ndërmarra nga qeveria e koalicioni ASHE; përkushtim ndaj interesave të anëtarësisë së partisë; integritet moral dhe ligjor i figurës së kandidaturave që propozohen," – thuhet në udhëzim. Ndërkohë, 50 % e kandidaturave duhet të jenë femra, ndërsa 20 % duhet të jenë nën 30 vjeç.