Dy shtetas u arrestuan sot nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, pasi kishin krijuar një skemë mashtrimi me qëllim përfitimi, për aplikantët që duan të konkurrojnë në Akademinë e Policisë. Të arrestuarit janë shtetasit G. M. dhe R. R., lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, të cilët kanë mashtruar, në këmbim të një shume prej 800 eurosh, një shtetas me inicialet B. L. me premtimin se do t’i jepnin të gatshme përgjigjet për testimin në Akademinë e Policisë dhe do të ndërhynin për pranimin e tij nga ana e komisionit.
Në lidhje me këtë ngjarje, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të shtetasve G. M. dhe R. R., si edhe dy personave të tjerë, për veprën penale "korrupsion pasiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "mashtrimit" në bashkëpunim.





