Në ndihmë të Marselit, për të bërë transplantin e veshkave, me këtë moto është dhënë koncerti i bamirësisë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, mbrëmjen e së enjtes.

Organizatorë të koncertit ishin miqtë e Marselit, mësues, nxënës të shkollës së muzikës “Jan Kukuzeli” dhe studentët e Universitetit të Arteve të Bukura në Tiranë. Marsel Domi, ish nxënës i shkollës së muzikës, duhet t’i nënshtrohet urgjentisht një ndërhyrjeje transplanti veshkash, por familja e tij nuk ka të ardhura. Në një situatë të tillë, janë miqtë e tij që po organizojnë fushata bamirësie dhe koncerte për ta ndihmuar sadopak djaloshin.

Marsel Domi

Marsel Domi 19 vjeç nga Durrësi, ka nevojë për ndihmë mjekësore pasi i duhet një transplant veshkash që të shpëtojë.  

Në hollin e pallatit të kulturës, miqtë e tij kanë vendosur një kuti, ku gjithkush që ka mundësi mund të dhurojë diçka. Po kështu, miqtë i kanë hapur një llogari bankare te një prej bankave të nivelit të dytë, për t’i ardhur në ndihmë Marsel Domit.

Të gjitha të ardhurat e koncertit të bamirësisë shkuan për Marselin.

K.H.