Nxënësit dhe vogëlushët e kopshtit “Rexhep Mezini” në Ishëm të Durrësit do ta nisin vitin e ri shkollor në një godinë të re, të pajisur me ambiente moderne dhe hapësira të përshtatura për mësim dhe aktivitete.
Shkolla e Mesme e Bashkuar dhe kopshti “Rexhep Mezini” do të jenë funksionale këtë shtator pas përfundimit të investimit, i cili ka sjellë një objekt tërësisht të rinovuar për nxënësit, mësuesit dhe komunitetin.
Godina e re përfshin bibliotekë, laboratorë modernë, palestër dhe ambiente të jashtme të dedikuara për aktivitetet e fëmijëve.
Projekti synon të krijojë kushte më të sigurta dhe më të përshtatshme për zhvillimin arsimor dhe social të nxënësve.
Investimi është realizuar me mbështetjen e bankës gjermane të zhvillimit KfW dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), duke u ndërtuar sipas standardeve të Bashkimit Europian.
Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar pamje nga ambientet e reja të institucionit arsimor në Ishëm.





