Olsa Toqi është kompozitorja e re që ka shkruar “Përrallë” të Eneda Tarifës, këngëtarja që do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian të Këngës në maj. Por në Stokholm të Suedisë, kënga fituese e Festivalit të RTSHsë do të debutohet e ndryshuar në titullin anglisht “Fairytale love”.
Në këtë intervistë për “Panoramën”, autorja tregon historinë personale në të cilën krijoi këngën, pse vendosi ta sjellë më ritmike në Eurovizion, regjistrimin në një studio në Londër dhe pritshmëritë për të prekur finalen…
“Përrallë” do të vijë në variant më ritmik. Sa kohë keni punuar dhe për çfarë ndryshimesh konkrete bëhet fjalë?
Po, pasi mendova që për Eurovizion nevojitej diçka më ritmike. Kënga do të vijë anglisht dhe me tjetër orkestrim.
Pse vendosët për regjistrimin final në një studio muzikore të Londrës?
Londra është epiqendra e industrisë muzikore dhe çdo artist do të donte të punonte në Londër.
Ishte e vështirë për të krijuar lidhjet e duhura?
Unë arrita me iniciativën time të lidh kontakte me një artist shumë të njohur atje, që quhet Jerry Meehan. I tregova këngën, ai e pëlqeu dhe pranoi propozimin tim për bashkëpunim. Dhe bëri një punë fantastike me këngën, që do të keni mundësi ta dëgjoni më datë 15 mars.
Tingëllon shumë shpirtërore si këngë. Mund të na rrëfesh muzën e krijimit, pra në çfarë gjendjeje emocionale e ke krijuar?
Këtë këngë e kam kompozuar para dy vitesh. Kam qenë në një periudhë të vështirë të jetës sime dhe sa herë ndodhem në telashe, i fus një kompozim dhe jam në rregull.
Pse zgjodhe pikërisht Eneda Tarifën për ta kënduar këtë këngë, që e ke shkruar në momente delikate të jetës, siç po thua?
Ne zgjodhem njëratjetrën (qesh). Eneda ka të gjitha pikat e duhura për ta përballuar këtë këngë. “Përrallë” është shumë e vështirë për t’u kënduar dhe refreni kërkon potencë vokale dhe saktësi të madhe. Eneda i ka të dyja.
Cila është pika më e fortë e këngës dhe momenti më i rrezikshëm për t’u përballuar live?
Pika më e fortë e këngës është që të këndohet me shpirt. Sa për “live”, s’ia kam frikën Enedës.
Si do të jetë klipi i “Fairytale love”, mund të na zbulosh detaje të fabulës?
Klipi i këngës do të jetë si vetë kënga, një përrallë.
Në rrjetet sociale qarkulluan këto dy ditë disa foto të Enedës në një helikopter. Janë momentet e xhirimeve të klipit?
Jo, me helikopter janë realizuar vetëm fotot.
I ke dëgjuar këngët e tjera konkurrente dhe cilat të pëlqejnë më shumë?
I kam dëgjuar këngët konkurrente dhe do të jetë garë shumë e fortë. Këtë vit ka shumë këngë të bukura.
Dhe çfarë renditjeje parashikon në këtë garë, e synon finalen?
Patjetër që synoj finalen, ndryshe nuk do të shkoja deri në Londër. Por është edhe çështje fati në fund të fundit, dhe unë uroj shumë të kemi fat!
Intwrvistë marrë nga Panorama.al