Grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk ka një skenar përfundimtar për seancën e nesërme, pasi mazhoranca pritet të vendosë vetëm para fillimit të saj në konferencë kryetarësh se çfarë do të bëjë me nismat e demokratëve për ndryshimin e ligjit të dekriminalizimit për rastin “Prenga” dhe ndryshimin e ligjit për funksionimin efikas të komisioneve hetimore.

Siç u pohoi gazetarëve kreu i deputetëve demokratë, Edi Paloka, opsionet e bllokimit apo normalitetit të punimeve të seancës do të jenë të aplikueshme në varësi të qëndrimit të mazhorancës, fillimisht për këto dy nisma. “Një, që lidhet me ligjin për dekriminalizimin dhe që ndalon deputetë apo zyrtarëve të tjerë, të cilët janë kapur në flagrancë duke kryer krime të rënda ndaj jetës së njeriut, siç janë plagosjet apo vrasjet, pra i ndalon të vazhdon të vazhdojnë jetën e tyre apo të kryejnë funksionet e tyre zyrtare deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës. Amendamenti i dytë lidhet me funskionimin e komisioneve hetimore. Siç e dini, ka një marëveshje të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët midis mazhorancës dhe opozitës për zbatimin e kushtetutës lidhur me komisionet hetimore,” – tha Paloka.

Demokratët kërkojnë po ashtu respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për mbarimin e mandateve të deputetëve Kokëdhima, Leskaj dhe Suli, që sipas konstatimit të opozitës kanë përfituar fonde publike në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit për konfliktin e interesave. Ata paralajmërojnë deputetët në fjalë dhe për një nismë tjetër ndaj tyre.

“Të tri këto raste janë raste në të cilat deputetët kanë shkelur Kushtetutën dhe, sipas Kushtetutës dhe ligjit për konfliktin e interesave, këta deputetë jo vetëm duhet të dorëzojnë mandatin e tyre, por pse jo në një të afërme të shpejtë, ne do të shohim edhe variantin e ndjekjes penale të tyre, pasi ne vërtet flasim shumë për rastet kur kriminelë ordinerë kryejnë aktin dhe pastaj bëhen deputetë, por shkelja e Kushtetutës nuk mendoj që është një krim më i vogël,” – ka shtuar deputeti demokrat Edi Paloka.