“Një baba që e ka djalin në burg është gjithmonë buzëplasur. Por grimcat e lumturisë janë këtu, janë si sot, kur në 60-vjetor, vij dhe takoj tim bir i cili më uron nga thellësia e zemrës, dhe mua më bëhet zemra mal, nga dashuria për të e fëmijët e tij”, kështu flet në një intervistë për “DurrësLajm”, Servet Gjinika, i cili që në mëngjes herët ka marrë tri fëmijët e djalit e ka shkuar në burgun e Durrësit.
Serveti e ka rritur djalin i vetëm, pasi ish-bashkëshortja u largua nga shtëpia duke braktisur familjen dhe Klodjanin e la fare të vogël. Tani në prag të moshës së pensionit, 60-vjeçari merr për dore nipërit dhe mbesat, dhe vjen në burg, ku prej disa muajsh gjendjet djali i tij. Fëmijët do të takojnë të atin, ai të birin, do të qëndrojnë disa orë bashkë, duke parë edhe shfaqjen që jep trupa e cirkut.
60-vjeçari së bashku me dy djem e një vajzë të mitur që janë nipërit e tij, fëmijët e Klodjanit të dënuar për mbajtje e posedim të lëndëve narkotike, kanë kapërcyer derën e ftohtë të burgut të Durrësit mëngjesin e sotëm. Më pas kanë vijuar në korridoret e gjatë, kontrollet e njëpasnjëshme, dyert që mbyllen me dryna të fortë pas tyre, derisa kanë dalë në oborrin e burgut ku ngrihen të lartë katër mure. Aty, gjyshi dhe nipërit janë takuar me Klodjanin, i cili nuk ka një dhuratë për babanë përveç një përqafimi të gjatë të mbushur me mall, dhe urimit të ditëlindjes.
Si ndjehet 60-vjeçari? Ndiqni videon!
K.H.