Kryetari i  Partisë Demokratike, Lulzim Basha, takoi nënsekretarin e shtetit për çështje europiane pranë Këshillit të Ministrave të Italisë, Sandro Goci. Situata aktuale politike dhe ekonomike në vend, krimi dhe korrupsioni, dekriminalizmi, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe reforma në drejtësi kanë qenë çështjet kryesore të diskutuara në këtë takim. Pas më shumë se një viti diskutimesh, negociatash, përpjekjesh, mungese vullneti nga mazhoranca dhe persistimi nga ana e opozitës sot është përmbyllur kuadri ligjor për të pastruar politikën nga krimi. Sfidë mbetet implementimi i ligjit.

Basha u ndal dhe tek reforma në drejtësi. “Parakusht për të ecur përpara është dialogu politik, që çon drejt konsensusit bazuar mbi kriteret e Venecias. Për këtë Partia Demokratike ka qenë, është dhe mbetet e qartë dhe e vendosur,” – theksoi Basha.

Nënsekretari Goci theksoi se shteti i së drejtës mbetet një moment kyç në vlerësimin që Bashkimin Europian bën ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit. “Ajo është një kërkesë e panegociueshme e BE, të cilën dhe Italia e mbështet plotësisht,” – theksoi Goci. Nënsekretari Goci theksoi se çështjet e ngritura janë shqetësuese, ndërsa garantoi se komunitetit ndërkombëtar do të jetë i vëmendshëm në ndjekjen e këtyre shqetësimeve.