Shpallen datat e testimit me shkrim të aplikantëve për shkollën bazë të policisë, për “Patrullë e Përgjithshme”.

Në një njoftim për shtyp, Policia e Shtetit bën me dije se numri total i aplikantëve që plotësojnë kriteret për të ndjekur fazat e mëtejshme të konkurrimit është 5020, nga këta 4542 meshkuj dhe 478 femra.

Mbi bazën e nevojave, Drejtori i Policisë së Shtetit nxori urdhrin  “Për shpalljen e aplikimeve për të ndjekur studimet në Akademinë e Sigurisë, për Shkollën Bazë të Policisë për “Patrullë e Përgjithshme”. Procesi i aplikimit  filloi më datën 15 janar 2016 dhe përfundoi më datën 15 shkurt 2016. Ndërsa procesi i verifikimit të dokumentacionit të aplikantëve përfundoi më datë 29.02.2016.

Në bazë të urdhrit të Drejtorit të Policisë së Shtetit “ Për rregullat e konkurrimit për pranimin në Akademinë e Sigurisë, për Shkollën Bazë të Policisë për Patrullë të Përgjithshme”, faza e parë e konkurrimit, testimi me shkrim, do të zhvillohet në ambientet e sallës së koncerteve (Pallati i Kongreseve) në datat:

– 15.03.2016 për Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë e Kukës;

– 16.03.2016 për Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Elbasan Berat dhe Fier;

– 17.03.2016 për Drejtoritë Vendore të Policisë Lezhë, Shkodër, Gjirokastër, Korçë, Vlorë dhe Dibër.

Aplikantët, duke filluar nga data 09.03.2016 të paraqiten pranë zyrave të Burimeve Njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë ku kanë aplikuar, me qëllim tërheqjen e numrit kodik që u duhet për t’u pranuar në konkurrimin me shkrim.

Testimet që duhet të kalojnë aplikantët

Akademia e Sigurisë ka marrë masa për zhvillimin e fazave të konkurrimit sipas rendit të mëposhtëm:

Testimi me shkrim i cili do zhvillohet në datat e mësipërme.

Testimi i aftësive fizike, që do zhvillohet pas daljes së rezultateve të testimit me shkrim.

Intervista me gojë, ushtrime vlerësuese dhe testimi i aftësive të të shkruarit, që do të zhvillohet pas daljes së rezultateve të testimit të aftësive fizike.

Testimi psikologjik, i cili zhvillohet në përfundim të tri testimeve të para.

Pesha specifike e secilit testim, në raport me rezultatin e përgjithshëm, është:

Testimi me shkrim zë 70%;

Testimi i aftësive fizike zë 20%;

Intervista me gojë, ushtrime vlerësuese dhe testimi i aftësive të të shkruarit zë 5%;

Testimi psikologjik zë 5%.

Aplikantët s’kualifikohen në rastet e mëposhtme.

  a-nuk kalon testin me shkrim nëse nuk merr 70 % të pikëve të këtij testimi;

  b-nuk kalon testin fizik nëse nuk merr 60 % të pikëve të këtij testimi;

  c- nuk kalon intervistën me gojë nëse nuk merr 70 %  të pikëve të këtij testimi;

  d- nuk kalon testin psikologjik nëse nuk merr 70 % të pikëve të këtij testimi.

Policia e Shtetit garanton të gjithë aplikantët se ka marrë të gjitha masat me qëllim kryerjen e një procesi testimi të drejtë, të paanshëm dhe transparent, sipas parimit të shanseve të barabarta, meritës dhe mosdiskriminimit.