Ka ndërruar jetë në spital personi që u plagos në kokë me armë zjarri, para pak orësh, në qytetin e Shkodrës. Ndërkohë, Policia e Shtetit, pas hetimeve të para, ka arritur të zbardhë edhe dinamikën e ngjarjes, ndonëse ende ka paqartësi mbi atë se çfarë ka ndodhur.

Ajo që fillimisht dyshohej për shkëmbim zjarri mes disa personave është tashmë një atentat ose vetëvrasje. Pranë të plagosurit u gjet një armë zjarri, e tipit pistoletë, dhe një gëzhojë, dhe dyshimet e para ishin se ajo i përkiste të plagosurit me të cilën ai mund t’i ishte përgjigjur personave që kishin qëlluar mbi të. Por, tashmë rezulton se ajo është pikërisht arma nga ku ka dalë plumbi që ka goditur viktimën në kokë. Sipas të gjitha gjasave, nëse është atentat, viktima është qëlluar në kokë dhe autori e ka hedhur armën pikërisht pranë viktimës dhe më pas është larguar. Në momentin që është qëlluar, viktima gjendej brenda në autoveturën e tij, e parkuar në një prej rrugëve të Lagjes “Skënderbeg”. Ndërkohë, po kaq i fortë është edhe dyshimi se viktima është vetëqëlluar.

Ndërkohë, pavarësisht se ai është dërguar menjëherë në spital, mëoshet se plaga e marrë në kokë ka qenë shumë e rëndë dhe ndërhyrja e mjekëve nuk ka dhënë asnjë rezultat. Një orë pasi është dërguar në spital, i plagosuri ka ndërruar jetë.

Policia e Shtetit në Shkodër ka saktësuar edhe identitetin e viktimës. Ai është Andrea Çoba, 26 vjeç. Sekuestrimi i pamjeve filmike nga sistemi i kamerave të sigurisë së një biznesi pranë vendit të ngjarjes pritet të sqarojë nëse ajo që ndodhi ishte vrasje ose vetëvrasje.