Sekretari i përgjithshëm i Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, i është përgjigjur deklaratave të pak ditëve më parë të liderit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili tha se partia e tij dhe opozita është e hapur për aleanca të reja me këdo parti që e ndien veten në opozitë me këtë qeveri. Sipas Oketës, FRD nuk ka negociata për bashkëpunim me PD, ndërsa me PS po qeverisin vetëm në nivel lokal dhe jo qëndror.

"FRD nuk bëhet pjesë e asnjë koalicioni për të rrëzuar njërin politikan dhe për të ngritur tjetrin në karrigen e pushtetit. FRD kërkon që kjo mundësi t’u jepet qytetarëve shqiptarë nëpërmjet një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm. Është ende herët për të shprehur qëndrimin e FRD, por një gjë mund ta them me siguri: ai qëndrim do jetë rrjedhojë e pozicionit të forcave politike përkundrejt reformës kushtetuese, reformës në drejtësi dhe asaj zgjedhore," – ka thënë Oketa.

Marrë nga gazeta "Gazeta Shqiptare"