Votimi i djeshëm i Dekriminalizimit krijoi një amulli në korridoret politike dhe mediatike.

Ata që e ndoqën procesin përmes ekranit, panë që në karrigen e tretë, rreshti i pestë i krahut të mazhorancës, u votua.

Kjo votë u regjistrua pro si gjithë të tjerat.

Ajo që habiti ishte se kjo karrige, sipas planshpërndarjes  zyrtare të deputetëve në Kuvend, i takonte pikërisht deputetit Armando Prenga.

Menjëherë lindi dyshimi se dikush kishte përdorur kartën e Prengës, pasi ky i fundit nuk kishte qenë fizikisht i pranishëm në sallë.

I kontaktuar nga "Shqiptarja.com", Prenga siguroi se kartën e e votimit e kishte me vete dhe nuk kishte asnjë shans që ai të kishte votuar apo dikush të kishte përdorur kartën e tij.

Në përgjigje të interesit mediatik, administrata e Kuvendit bëri verifikimin e rastit dhe konfirmoi se nuk bëhej fjalë për asnjë votim të parregullt të një deputeti ndaj një tjetri, por për një gjë krejt tjetër.

Ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani, që tashmë është një deputet i thjeshtë, kishte zgjedhur që të ulej në karrigen që më parë mbante Prenga dhe kjo nuk ishte reflektuar në planvendosjen zyrtare të Kuvendit.  Vota misterioze ishte e Canit dhe jo e Prengës.