Partia Demokratike ka theksuar sot, përmes deputetit Eduard Halimi, se rekomandimet e reja të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi pasqyronin edhe shqetësimet e opozitës. “Partia Demokratike është e inkurajuar nga pranimi që Komisioni i Venecias i bën shqetësimeve që ka ngritur opozita që në fillim për draftin e parë të Ramës, për kapjen politike të sistemit të drejtësisë,” – deklaroi Halimi.
Deputeti demokrat tha se kryetari Lulzim Basha kishte patur edhe një takim me ambasadorin amerikan Donald Lu, me të cilin kishin ndarë të njëjtat mendime. “Ky draft-opinion, i cili është bërë publik sot dhe është shpërndarë në media, gjen të gjitha shqetësimet e opozitës në lidhje me kapjen e drejtësisë, – tha Halimi. – Sigurisht, aty ka çështje të cilat duhet t’i nënshtrohen një dialogu politik dhe është detyrë e qeverisë dhe mazhorancës që të krijojë kushtet për dialog politik, i cili t’i japë zgjidhje të gjitha çështjeve për të cilat Komisioni i Venecias flet qartë për nevojën e domosdoshme të një dialogu politik në çështjet e miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Sot del e qartë se kush ishte ai që ishte kundër një dialogu politik, i cili ishte Edi Rama, që në fillim në një mënyrë të njëanshme e hartoi draftin, shkoi në Komisionin e Venecias, iu rrëzua herën e parë, dhe vijmë sërish sot duke rrëzuar Komisioni i Venecias skemën e kapjes politike të sistemit të drejtësisë prej tij.”





