Dita e re ka sjellë shpresë optimizëm dhe mbi të gjitha siguri për Erdenis Gurishtën, mbrojtësin e Vllaznisë që pësoi një dëmtim të rëndë në përfundim të ndeshjes me Laçin duke shkaktuar ankth në gjithë opinionin publik sportiv dhe jo vetëm.
Sipas informacioneve që përcjell mjeku i Vllaznisë, Zyhdi Coba, 20-vjeçari këtë të dielë është zgjuar në një gjendje shumë më të mirë, është i ndërgjegjshëm arrin të komunikojë dhe stafi mjekësor që po kujdeset për të në Spitalin Rajonal të Shkodrës konstatojnë se gjendja shëndetësore e futbollistit vjen drejt përmirësimit sic konfirmohet edhe nga një foto e publikuar në rrjetet sociale. Siç bëhet e ditur Gurishta do të vijojë të mbahet në reanimacion në spitalin e Shkodrës por më e rëndësishmja është se më e keqja ka kaluar. Mbrojtësit i janë kryer dy ekzaminime me skaner për të mbajtur nën vëzhgim konstant dinamikën e situatës shëndetësore, ekzaminime të cilat kanë evidentuar se futbollitsti pati një traume me një tronditje të trurit dhe të palcës së kurrizit, por nuk evidentuan fraktura apo dëmtime kockore të kokës.
Erdenis Gurishta kaloi në gjendje kome të shtunën pas atij episodi të pafat në përplasjen me Nimanin në fund të ndeshjes Vllaznia- Laçi, e përfunduar në barazim 0-0. Pamjet filmike tregojnë se ndërhyrja e Nimanit ishte e paqëllimshme dhe për më tepër futbollisti i Laçit , shkodran ashtu si dhe Gurishta deklaroi pak orë më pas se ishte një ndër personat që e kishte ndier më tepër atë episod fatkeq ku në asnjë mënyrë nuk kishte patur tendencën më të vogël për të dëmtuar kolegun e tij.