Pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili shpjegoi sot se nuk e kishte ofenduar në seancën e së enjtes deputeten demokrate Albina Deda me fjalën “mostër” por “motër”, ka ardhur dhe reagimi i menjëhershëm i kësaj të fundit.
Deda e quan Edi Ramën gënjeshtar të paskrupullt, pasi sipas saj, të gjithë në Parlament e dëgjuan shumë mirë me çfarë fjale iu drejtua ai. Deda thotë që nuk pret falje nga Rama, sepse është i zhveshur nga çdo normë morale.
Reagimi i deputetes Deda:
“Je një gënjeshtar i paskrupullt.
Të gjithë aty, gra e burra në Parlament e dëgjuam shumë mirë çfarë the.
Sigurisht nuk the motër.Por çdo qytetar e di se cili është kapaciteti yt banal, ndaj nuk po lodhem këtu të bind ata se si më ofendove.
Kur arrin të fyesh aq rëndë një grua, një deputete, një nënë, ti me siguri nuk e ke fare problem edhe të mashtrosh.
I zhveshur siç je nga çdo normë morale, nuk pres që të kërkosh falje. Gënjeshtra pas fyerjes pritej nga ti, nga soji yt.
Kjo nuk do ta ndalë aksionin tim politik, dhe të forcës time politike që ti të marrësh ndëshkimin e merituar për fyerjet dhe dhunimin që u ke bërë gjithnjë, por që u bën sistematikisht grave, vajzave e nënave në këto 3 vite.”





