Anëtarësia e Partisë Socialiste, në Durrës, do të zgjedhë, përmes parimit ‘një anëtar, një votë’, 33 delegatët që do të marrin pjesë në Kongres, më 19 mars. Strukturat vendore të Partisë Socialiste janë të organizuara sipas njësive vendore dhe delegatët e Partisë Socialiste nga Durrësi do të dalin nga i gjithë territori i Bashkisë së Durrësit.

Në fakt, Durrësi përfaqësohet në Kongres me 41 delegatë, por vetëm 33 prej tyre do të zgjidhen. Pjesa tjetër janë të zgjedhur automatikisht për shkak të detyrave partiake që mbajnë. Në këtë mënyrë, deputetët, anëtarët e Asamblesë Kombëtare, krerët socialistë të njësive vendore, etj., shkojnë drejtpërsëdrejti delegatë në Kongres.

33 delegatët e zgjedhur do të dalin nga 66 kandidatë. 3282 anëtarët e Partisë Socialiste në Durrës do të zgjedhin 33 nga 66 delegatët në listë. Procesi i votimit zhvillohet nesër, më 27 shkurt 2016, duke filluar nga ora 08:00 deri në ora 16:00. Qendra e votimit është vendosur në Pallatin e Kulturës, në Durrës.

Mes 33 delegatëve të zgjedhur, 17 do të jenë gra dhe 16 burra. Ndërkohë, nga të zgjedhur, 23 do të jenë nga qyteti i Durrësit, tre nga Sukthi, dy nga Manza, dy nga Ishmi, dy nga Rrashbulli, dhe një nga Katundi i Ri.

KONSULTOHUNI ME LISTEN E KANDIDATEVE QE GJENDET BASHKANGJITUR.