Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në një aktivitet të organizuar me rastin e anëtarësimeve të reja në PS në kater njësi të Tiranës, u shpreh se gjendja në të cilën Shqipëria është sot, është pasojë e abuzimeve shumëvjeçare në të gjithë sektorët. Duke iu referuar reformave të ndërmarra nga qeveria e tij, Rama u shpreh i penduar që nuk e kishte nisur më herët këtë reformë, ashtu si edhe reformën antiinformalitet, të cilat sipas kryeministrin nëse do të ishin bërë më herët do të kishin siguruar investime afatgjata në arsim, shëndetësi, bujqësi për vite me radhë.
“Ne bëmë një gabim, përgjegjësi e imja që e vonuam fillimin e reformës së energjisë për shkak të një ngurrimi se kjo reformë do të na dëmtonte politikisht. Nëse kjo reformë do ishte bërë 20 vjet më parë, do kishim kursyer për investime disavjeçare në shëndetësi, bujqësi e arsim,” – tha Rama. Duke e cilësuar rritjen e anëtarësisë së PS si mjaft të kënaqshme, Rama u shpreh se PS mund t’i përgjigjen edhe më shumë njerëz nëse organizimi është më i mirë.





