Një ditë pas tensioneve në parlament, ku u ndërpre seanca dhe kryeministri Edi Rama u gjuajt me vezë nga deputetët e opozitës, ka reaguar edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta. Sipas kryeparlamentarit, shqiptarët nuk i meritojnë shfaqje të tilla dhe se vëmendja e të gjithëve duhet të jetë tek reformat.
“Të mos ecim me paragjykime dhe ultimatume. Qytetarët tanë nuk meritojnë këto lloj shfaqjesh dhe konfliktesh që nxjerrin nga vëmendja problemet e tyre dhe shpërqendrojnë aktorët politikë nga reformat kryesore me të cilat duhet të ballafaqohemi dhe t’i çojmë përpara. Kërkohet një klimë bashkëpunimi, përgjegjshmërie dhe një etikë tjetër,” – ka deklaruar Meta.





