Partia Demokratike ka depozituar sot në Kuvend kërkesën për masë disiplinore ndaj kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Erion Braçe për fyerjet e rënda që sipas tyre iu janë bërë deputeteve demokrate Albina Deda dhe Arbjola Halimi.
Sipas demokratëve, Rama bashkë më Braçen kanë shkelur nenin 62 të rregullores së Kuvendit dhe në përputhje me pikën 2 të nenit 65 të Rregullores, kërkojnë marrjen e masës disiplinore “Ndalim për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit në seancë plenare për 10 ditë” ndaj deputetëve Edi Rama dhe Erion Braçe.
“Deputeti Edi Rama, nën një sjellje të paprecedentë në sallën e seancës plenare, ka përdorur gjuhë ofenduese dhe joparlamentare, që cenojnë rëndë personalitetin e deputetes Albina Deda dhe prekin personalitetin e çdo zonje deputete. Deputeti Edi Rama i është drejtuar me fyerje të vazhdueshme me fjalë të ndyra deputeteve femra të PD, që kulmuan me fjalët drejtuar deputetes Albina Deda, duke i thënë: “o mostër, ku e fute që e lage moj…” dhe “atë vezën fute në mitër mos e mbaj në dorë..”, shpjegohet në kërkesën e PD-së për marrjen e masës ndaj Ramës.
“Deputeti Erjon Brace, ka përdorur gjuhë ofenduese dhe joparlamentare, që cenojnë rëndë personalitetin e deputetes Arbjola Halimi dhe prekin personalitetin e çdo zonje deputete. Deputeti Erjon Brace i është drejtuar deputetes Arbjola Halimi me fjalë të rënda, përçmuese dhe fyese, teksa ishte në këmbë përballë Gardës, duke i thënë në mënyrë të përsëritur: “Mos u fut duart çunave, kujdes se do kapesh noj gjë të fortë aty”, shpjegohet në kërkesën e PD-së për marrjen e masës ndaj Braçes.





