Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës, në kuadrin e projektit “Miku i Monumentit”, ku ka përfshirë shkollën artistike të qytetit “Jan Kukuzeli” duke i besuar përkujdesjen dhe rijetëzimin e monumentit të quajtur Hamami i qytetit të Durrësit, ditën e sotme në ambientet e Hamamit u zhvillua një aktivitet mjaft interesant me qëllim njohjen e trashëgimisë kulturore nga nxënësit e shkollës.    

Në ambientin kryesor të Hamamit, u shfaq për vizitorët një video artistike dhe performancë e krijuar nga një bashkëpunim i nxënësve dhe mësuesve artistë të kësaj shkolle, që lidhej me trashëgiminë jo materiale. Drejtoresha e projektit Antigoni Gjergji deklaroi për “DurrësLajm” se synimi është që ky objekt të hapet për nxënësit e shkollës dhe nxënësit të kenë mundësi të shfaqin kreativitetin e tyre.

Por ndërsa zhvillohej aktiviteti, shiu litar që binte jashtë, binte edhe mbi kokat e fëmijëve dhe të të pranishmëve të tjerë.

Hamami i qytetit të Durrësit është një monument i periudhës otomane, i shekullit XVIII, që ndodhet në zemër të zonës historike të qytetit, fare pranë Portit të Durrësit. Megjithëse ky monument, për fat të mirë është ruajtur i plotë, për shumë vite ka qenë i mbyllur për vizitorët dhe turistët, me gjithë atraksionin e lartë që ka dhe kërkesën e vazhdueshme të turistëve për ta vizituar. Edhe pse ai ndodhet në zemër të qytetit, të paktë janë banuesit e qytetit që e njohin dhe i dinë vlerën këtij objekti. I ndërtuar në kohën e romakëve dhe i restauruar më pas në kohën e pushtimit turk, hamami mesjetar shërbente si banjë me avull.

K.H.