Të papunët e Durrësit dhe emigrantët e kthyer nga vendet fqinje, pasi i “mbërtheu” kriza, janë dyndur në Zyrën e Punës në qytetin bregdetar.
Ofrimi i vendeve të punës, në disa profesione në Dubai e Katar, në mënyrë të organizuar, nëpërmjet agjencisë së punësimit “Europa Agency”, pati një interes shumë të madh gjatë gjithë ditës. Intervistimi i punëkërkuesve bëhej në gjuhën angleze, që është edhe kriteri kryesor për të gjithë punëkërkuesit. Specialistët e kompanisë së punësimit kanë intervistuar qytetarët, të cilët kanë pritur në radhë me orë të tëra vetëm që të bëheshin pjesë e intervistimit.
Të pyetur nga “DurrësLajm”, punëkërkuesit kërkojnë më së shumti punë si kuzhinierë, ndihmëskuzhinierë, shoferë taksie, në ndërtim etj. Një pjesë e këtyre punëkërkuesve janë krejtësisht pa asnjë kualifikim, të tjerë janë emigrantë të kthyer nga Greqia dhe Italia, pasi kanë mbetur atje pa punë, e kërkojnë një mundësi punësimi.
Indrit Buka, kreu i Zyrës Rajonale të Punësimit theksin e vë te punësimi me kontrata të rregullta pune. “Ka ikur koha e emigrimit, tani punësimi bëhet nga kompani lider në Europë, që ofrojnë vendet e lira të punës, në Gjermani, Danimarkë, Suedi, dhe së fundmi në Katar e Dubai, me paga shumë të larta, të pakrahasueshme me vendin tonë. Kjo ka bërë që të këtë kaq shumë interes për t’u punësuar jashtë”, tha ndër të tjera Buka.
Të gjitha vendet dhe ofertat e punësimit janë publike në ambientet e Zyrës Rajonale të Punësimit. Por pjesa më e madhe e punëkërkuesve janë të pakualifikuar dhe pa asnjë profesion, dhe pak shanse kanë që të jenë fitues në vendet e punës që ofrohen.
Ofertat e punës:
-Shofer taksie
-Përfaqësues shitjesh në agjenci imobiliare
-Infermierë, dentistë
-Staf hoteleri turizmi
-Ekonomist për zyra të këmbimit valutor
-Inxhinier nafte
-Mësues në çerdhe fëmijësh
-Staf administrate
-Shitëse në dyqan ëmbëlsirash
-Punonjës specialistë në ndërtim (specialist gipsi, saldator, murator, shtrues pllakash, bojaxhi etj).
Këto mundësi janë për të gjithë punëkërkuesit e regjistruar në Zyrën e Punës Durrës, të cilët duhet të jenë me arsim të mesëm, mosha 20-38 vjeç, të kenë njohuri të gjuhës angleze.
K.H.