Nga Armand Shkullaku

Erion Veliaj nuk është mirë. Dhe ka arsye për të mos qenë mirë. Për herë të parë, këtij punëtori të 20 profesioneve të ndryshme, i duhet të punojë vërtet. I duhet të drejtojë bashkinë më të madhe në vend dhe ta ketë gjithë përgjegjësinë e kësaj detyre mbi supet e veta.

I stërvitur në llogoret e demaskimit të kundërshtarit gjatë viteve të opozitës së luksit dhe atyre të propagandës që nga dita që u bë ministër, sot atij i duhet të përgjigjet për qeverisjen reale të mbi një milion njerëzve. Ai është praktikisht një kryeministër që po jep provën e tij të parë të qeverisjes. Dhe po e kalon atë si mos më keq. Përballja me këtë sfidë e një djaloshi, që ka bërë shumë punë por që punë nuk i kemi parë, e ka transformuar atë krejtësisht duke e nxjerrë ashtu siç është në të vërtetë: Një propagandist i dalluar, por një menaxher i sajuar. Shembulli i tij është tipik për të ilustruar ngritjen e një politikani falë imazhit dhe zhgënjimin që ai prodhon kur duhet të përveshë mëngët. Jo për të dalë në foto si Obama, por për të menaxhuar kryeqytetin.

Ngjarjet e fundit, kur qeverisja e Veliajt është vënë nën provën e disa vendimeve të rëndësishme, e kanë pozicionuar bashkinë nën shënjestrën e pakënaqësisë qytetare. Ndoshta, Edi Rama, i cili e ka përjetuar në lëkurën e tij për mbi një dekadë drejtimin e kryeqytetit, është penduar për zgjedhjen që ka bërë. Mund edhe të jetë nervozuar kur ka parë ato dhjetëra foto, ku dishepulli i tij harxhon orë të tëra për të kopjuar gjestet e presidentit amerikan, por nuk ia del dot të prodhojë diçka tjetër veç efekteve mediatike. Ai ka zgjedhur një politikan që sillet si ‘rockstar’, ndërkohë që qytetit i duhet një menaxher. Menaxher i punëve dhe jo i ekraneve televizive.

Në një kohë rekord, Veliaj ka provokuar pakënaqësinë e qytetarëve për rritjen e çmimit të biletës së transportit urban, zemërimin e shoqërisë civile për ndërtimet në përgjithësi dhe ndërhyrjen te Parku i Liqenit në veçanti, zhgënjimin e biznesit për ngritjen e pabesë dhe arbitrare të tarifave të shërbimeve. Tarifa për hapësirën publike u dhjetëfishua menjëherë dhe një tjetër edhe më e rëndë u shtua ndaj atyre që mbajnë familjet e tyre, punësojnë disa njerëz dhe përpiqen të mbijetojnë në kushtet e një ekonomie në rënie të lirë.

Pakënaqësia ndaj kryetarit të ri të bashkisë, nuk lidhet vetëm me vendimet e mësipërme, por edhe me mënyrën se si ai po sillet me qytetarët për të justifikuar qeverisjen e tij problematike. I tunduar nga suksesi i menaxhimit të interesave mediatike, Erion Veliaj ka rënë në kurthin që i ka ngritur vetes. Ai beson vërtet se me disa dalje në Tv, me betime për dorëheqje dhe me populizmin e ‘djalit të mirë’ që mendon për nënat me karroca që mezi kalojnë në trotuaret e qytetit, mund t’ia hedhë lumit të zhgënjimit që po fryn rreth vetes. Mirëpo retorika ndihmon në fushatë, por jo edhe në përballjen me problemet e vërteta.

Ky kurth ndoshta bëri që çuditërisht, ‘çuni i mirë’ që mendon për të varfrit dhe njerëzit në nevojë, ta humbasë toruan dhe të heqë maskën e politikanit modern. Me një gjuhë që të kujtonte demaskimet e udhëheqjes së dikurshme komuniste, ai i quajti vandalë ata që protestuan përpara bashkisë dhe te Parku i Liqenit. Madje shkoi shumë larg, kur për të atakuar protestuesit përdori argumente raciste, duke deklaruar se disa prej tyre kërkonin tragetin te liqeni i Tiranës. A i shkon diçka e tillë një politikani të ri, i cili për më tepër është ngritur pikërisht nga fryma e protestave civile kur drejtonte “Mjaft”-in e dikurshëm?

Ndoshta Erioni nuk beson vërtet se protestuesit janë vandalë, ndoshta ai vërtet nuk ka paragjykime raciale krahinore. Deklaratat e tij më shumë se sa shprehje e bindjeve apo formimit personal, janë dëshmi që tregojnë një politikan pa bindje dhe pa parime të qarta në kokë. Një politikan që synon vetëm të kopjojë pa i dhënë vetes kohë që edhe të kuptojë. Prandaj edhe daljet e tij të fundit publike ishin si mos më keq, ku njëherë thoshte se do i lironte e njëherë tjetër se do i shtrenjtonte hapësirat publike. Ku për Parkun e Liqenit nuk argumentonte, por ofendonte si “pa mend ose pa fëmijë” ata që kundërshtonin ndërtimin.

Erion Veliaj në thelb mund të mos jetë arrogant, racist apo intolerant. Këto çoroditje të tij janë pasojë e frustrimit që i vjen prej faktit se tani i duhet të menaxhojë realisht në terren një qytet dhe jo të sfilojë në studio televizive. I duhet të përballet me punët e vërteta, ku populizmi dhe fotot si Obama nuk e ndihmojnë dot. Prandaj nuk është mirë. Tani është në provën e punës dhe jo të fjalëve dhe mesa duket ka folur aq shumë, sa ka harruar edhe punët që ka bërë në rininë e hershme.

Marrë nga “Mapo” me titullin origjinal: “Punët e Tiranës dhe fjalët e Erionit”