Për herë të parë në vendin tonë, trombonisti suedez me famë botërore Christian Lindberg do të vijë në një koncert në hollin e Teatrit të Operës dhe Baletit.

Lindberg vjen në cilësinë e solistit, por edhe dirigjentit, ndërsa koncerti sjell vepra që mbajnë emrin e kompozitorëve të njohur botërorë.

Leopold Mozart “Koncert për trombon” dhe Simfonia Nr.6, “Pathetique” nga P.I. Tchaikovsky do të luhen për publikun nesër në mbrëmje (26 shkurt).

Prej disa ditësh artistët e Orkestrës së TOB-it kanë zhvilluar provat për këtë koncert, i cili sjell për herë të parë në Shqipëri dhe instrumentistin që është votuar dhe mes më të mirëve të shekullit të 20-të.

Drejtori i TOB-it, Ilir Kerni, e cilëson këtë pjesëmarrje si një mundësi më shumë dhe për artistët e TOB-it. “E kanë krahasuar me Paganinin, por prezenca e tij këtu u jep mundësinë që të gjithë artistëve që të mësojnë nga afër vlerat e tij”, tha drejtori Kerni.