*Këndet e lojërave në Durrës zaptohen nga karriget e lokaleve

Hapësirat e dedikuara për publikun, çdo ditë e më shumë po rrudhen në qytetin e Durrësit, duke i kaluar privatit, i cili zapton çfarë t’i dalë përpara. Këto hapësira dedikuar publikut e në veçanti fëmijëve, numërohen me gishtat e njërës dorë në të gjithë qytetin bregdetar, ndërsa parqet dedikuar fëmijëve janë si “oazet në shkretëtirë”. Bregu i detit në plazh, lulishtja në hyrje të Durrësit dhe shëtitorja “Taulantia”, janë tre vendet e vetme ku fëmijët kanë mundësi të luajnë me njëri- tjetrin, në fëmijërinë e tyre. Prindërit janë koshientë që në kohët moderne “Fëmijët janë pa fëmijëri” pa parqe, pa lodra, pa aktivitet fizike e këto janë zëvendësuar nga celularët, video lojëra etj. Prindërit ankohen vazhdimisht se fëmijët nuk kanë ku të argëtohen,sepse edhe ato pak vende që ishin janë zënë nga lokalet e karriget e tyre.

Prindërit

“Në hyrje të Durrësit fëmijët mund të argëtohen. Këtu janë pak lodra të vëna nga bashkia para ca vjetësh. Por nuk janë mirëmbajtur. Janë shkatërruar. Fëmijët duan shumë argëtim në natyrë”, thotë gjyshi i një vogëlusheje.

“Na i kanë zënë tërësisht hapësirat me karrige e tavolina. Kanë ardhur karriget deri te rruga duke zënë vendin e fëmijëve. Nuk kanë fëmijët ku të luajnë sepse dy hekura paralele kanë mbetur në këtë lulishte. Nuk ke ku i çon fëmijët”, thotë një gjyshe tjetër.

“Hapësirat i kanë zënë me karrige, ne u rrimë pas fëmijëve se na vriten në hekurat që kanë mbetur në lulishten këtu. Fëmijët duan të argëtohen, të dalin, e të luajnë, po ku t’i çojmë? Nuk ka ku t’i çojmë fare!”, shprehet një nënë.      

Në Durrës janë tkurrur hapësirat për fëmijët. Kanë mbetur pak lodra, dhe fëmijëria e tyre ndryshe nga brezat e shkuar, është drejtuar drejt përdorimit të teknologjisë, edhe pse kjo ka mbetur e vetmja mënyrë argëtimi për ta. 

K.H.