“Jo grip, por flamë është! U tretën fëmijët këtë dimër nga viruset që qarkullojnë në ajër”, kështu shprehen prindërit që tejmbushin gjatë gjithë ditës pediatrinë e spitalit të qytetit të Durrësit.
Mbi 140 është numri i fëmijëve të vegjël në ditë që kërkojnë ndihmën e mjekëve, pasi me metodat me mjekim në shtëpi nuk ia kanë dalë mbanë. Po i njëjtë është edhe numri i të rriturve që kërkojnë ndihmë në urgjencën e të rriturve, duke bërë që pavionet e spitalit të jenë plot në këtë stinë.
Virozat e stinës, ndryshimi i temperaturave dhe helmimet ushqimore kanë tejmbushur ambientet e pediatrisë. Prindërit nga lagje të ndryshme të qytetit shprehen se fëmijët i sjellin me simptoma të ndryshme, kryesisht me temperaturë të lartë, anoreksi, dehidratim etj.
Mjekët bëjnë me dije se fluksi ka qenë i shtuar gjatë ditëve të fundit, si pasojë e virozave dhe gripit që është në qarkullim. “Prindërit në raste të tilla duhet të kërkojnë ndihmë te mjeku për fëmijën e tyre, kur temperatura e lartë është e përsëritshme”, është këshilla e pediatres Marsela Manasterliu.
Një tjetër këshillë për të gjithë prindërit është veshja lehtë e fëmijëve. “Mos u ngutni t’i vishni sa më tras hë, sepse i sëmurni fëmijët”, këshillon mjekja.
K.H.