Pas një hetimi  3-mujor me metoda speciale, specialistët kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Durrës, kanë arrestuar një 55-vjeçar që tregtonte gazoil kontrabandë.

Në pranga ra Dali Stafasani, banues në Durrës, të cilit uniformat blu i gjetën në banesë dhe në automjetin tip “Volksvagen” me targa AA 756 AB, rreth 500 litra lëndë djegëse, gazoil.

Sipas policisë së Durrësit, Stafasani nuk dispononte faturë blerje – shitje dhe leje për të ushtruar këtë aktivitet.

Gjithashtu, policia po vijon hetimet e mëtejshme për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë aktivitet të paligjshëm.

Sasia e gazolit kontrabandë u sekuestrua dhe bashkë me to edhe makina e 55-vjeçarit dhe një telefon celular.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprat penale “Tregtimi dhe transporti i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.