Mbrëmjen e 13 shkurtit, Pajtim Shehu, babai i tre fëmijëve, doli nga shtëpia për të ndihmuar mikun e tij, të cilit po i vidhej lokali. 44­-vjeçari mbeti i vrarë në rrethana që Policia e Sarandës thotë se janë zbardhur, por për familjarët ka ende dyshime.

Autor i krimit në fshatin Shkallë të Konispolit është cilësuar fqinji i tyre, Ajet Rexhepi, i akuzuar për vrasje nga pakujdesia. Megjithëse mister mbetet fakti pse ai nuk tregoi për krimin. Pas humbjes së bashkëshortit, e shoqja e tij, Mirela Shehu, është tejet e tronditur.

Ende nuk e beson se çfarë ka ndodhur, edhe pse arrin të rrëfejë me detaje momentet e fundit kur pa të shoqin gjallë.

Si e kujtoni, kur doli nga shtëpia bashkëshorti juaj dhe kush e lajmëroi?

Ishim në gjumë, kur ra zilja e telefonit, ora ishte rreth 00:30 ose 00:33. Pajtimi mori telefonin dhe në fillim pa emrin se kush po i fliste. Më tha që i fliste Arqilea. Bile e dëgjova edhe unë zërin e Arqilesë që po i thoshte: “Hajde, Pajtim, se erdhi hajduti”. “Erdha”, iu përgjigj Pajtimi dhe mbylli telefonin. “Ku po shkon?”, i thashë unë. “Do shkoj të kapim hajdutin”, ma ktheu Pajtimi. I thashë: “Po kështu vetëm do shkosh?”. “Është gjynah më tha, do shkoj të kapim hajdutin”. U ngrit shpejt e shpejt, u ndërrua nga rrobat e gjumit dhe iku me shpejtësi. Mua nuk më zinte vendi. U çova, pashë orën, mora telefonin dhe i rashë numrit të Pajtimit, por telefoni më doli i fikur. Ndenja 5 minuta, i rashë përsëri telefonit, përsëri i fikur.

Sa zgjati kjo periudhë?

Gati 40-­50 minuta. Dëgjova zëra. Hapa dritaren dhe dëgjova zëra që vinin nga lokali i gjitonit këtu pranë nesh. Atëherë thashë me vete do dal se do të jetë i zoti i lokalit, se nuk dija edhe se çfarë të bëja, se kisha edhe dy vajzat e vogla në gjumë. Vesha xhupin dhe dola. Te porta e lokalit ishte Sulo Telushi me të birin, komshinjtë tanë. Ai më tha se e kishte parë Pajtimin duke ikur me elektrik në dorë. I thashë që do të shkoja të shikoja vetë se isha në merak. Mora rrugën dhe u nisa. Dallova atje lart në trotuar, te lokalet, te rruga kryesore se kishte njerëz.

Deri në atë orë a kishit dëgjuar krismë arme?

Jo, nuk kisha dëgjuar krismë. Atje dëgjohej zhurmë, pashë njerëz, por pashë edhe personin që kam dëgjuar se ai e ka bërë aktin, ishte me dy­-tre veta, me Arqilenë në mes të rrugës, u llafos edhe me Jorgullën, e zonja e një lokali tjetër, dhe u drejtua drejt meje.

Kush? Ajet Rexhepi?

Po. Dhe unë iu shmanga, si gjithmonë. Ika pak më tutje në mes të asfaltit, jo në trotuar, ku ishte ai, dhe pak më vonë shkova drejt Arqilesë dhe e pyeta: “Ku është Pajtimi?”. Më tha se Pajtimi nuk kishte shkuar aty. “Si nuk ka ardhur këtu?”, i thashë përsëri. Pajtimi ka rreth një orë që ka ikur nga shtëpia dhe s’përgjigjet në telefon.

Edhe ai u përpoq ta merrte në telefon. Ndërkohë erdhën njerëz që thoshin: “Pajtimin do ta ketë marrë peng hajduti, apo mos ndoshta do ta ketë vrarë”. U trondita shumë nga ato që dëgjova. Nuk dija çfarë të bëja.

I kujtoni personat që ishin në rrugë?

Për momentin atje, e mbaj mend shumë mirë, ishte Arqilea, e shoqja e tij, Margarita, Jorgulla, Kaça, ky (Ajeti) dhe pas pak erdhi edhe Kujtim Dulja. Ndenja edhe disa minuta e mora rrugën për në shtëpi. Mendova se Pajtimi mund të ishte kthyer. Gjatë rrugës telefonova dhe babanë tim që jeton në Çiflik dhe i tregova se Pajtimi ishte larguar. Në shtëpi nuk ishte kthyer im shoq dhe kur erdhi babai, dolëm prapë jashtë. Ishte ora 01:30 ndoshta. Njerëzit e fshatit i dëgjoja që u nisën duke kërkuar Pajtimin. Ikin ata, pas tyre shkoja edhe unë, sa andej këndej, i flisnin në emër, kërkonin. Po kalonte ora. U ktheva prapë në shtëpi e prapë dola. Këtë herë pashë në rrugë sërish atë. (Ajetin, nuk ia përmend emrin).

A foli ai me ju?

Jo, as i fola, as më foli. Atje pashë dhe polici e ky se ç’po diskutonte me policinë. Kaloi pak kohë dhe dëgjova zërin e djalit të tij (Ajetit) që i thirri djalit të Sulos, komshiut tonë. Atje kuptova dhe thashë: “Ma kanë vrarë që i thua hajde këtu ti?”. Fjalë thuheshin edhe më përpara mos e kanë marrë peng, se dëgjuam dhe një krismë. Atëherë nisa të bërtisja e të ulërija.

Shkuat vetë te vendi i ngjarjes në atë moment?

Shkova deri në njëfarë vendi, por nuk më lanë. Më penguan. Fillimisht më pengoi djali i Sulos, pastaj xhaxhai im, duke më thënë mos ik se nuk është mirë të shikosh.

E kuptuat se çfarë kishte ndodhur?

E kuptova, por edhe dëgjova që thoshin e kanë vrarë. Unë thjesht isha e shokuar dhe ulërija.

Çfarë konflikti keni pasur me personin që është tashmë i ndaluar nga Policia e Sarandës?

Di që para shumë viteve, në 2004-­n, Pajtimit i ndahej vëllai nga nusja dhe kur mori rrobat e kunatës bashkë me djalin e xhaxhait t’ia çonte në shtëpi, atje gjetën edhe këtë personin (Ajetin) që mbështeste familjen e vajzës dhe atje kanë bërë fjalë se ai bënte mbrojtësin e familjes së ish-kunatës. Disa kohë më vonë, në një fshat, në Dishat, Pajtimi kishte shkuar t’i çonte makinën babait tim që ishte me orkestër dhe atje u konfliktuan. Më vonë patën dhe një konflikt për një llambë elektrike, se ai e kishte denoncuar tim shoq.

Si mendoni, kush ia mori jetën burrit tuaj?

Unë e mendoj me bindje të plotë që ai është ai që i mori jetën burrit tim.

Pse?

Duke më ndodhur këto gjëra mua, duke e parë që të gjithë burrit tim i thoshin që ty të denoncoi ai, unë mendoj që ai duke pasur gjithë atë urrejtje, dhe këtë edhe me Pajtimin e kemi diskutuar se përse ky njeri ka këtë urrejtje për ne duke mos i bërë asgjë, kjo më bën të dyshoj.

Erdhi ai në shtëpi tani që ju kishit këtë ngjarje?

Unë vetë nuk e kam parë. Di që gruaja e atij atë natë ka ardhur, ka ardhur edhe të nesërmen, por atë nuk e kam parë.

Në këto kushte çfarë kërkoni?

Dua që jo vetëm të vihet drejtësi, por ai person të vuajë dhe të torturohet siç jam torturuar unë gjithë këtë kohë. Nuk dua ta imagjinoj që ai njeri të jetë më në jetë. I bëj apel kryeministrit, presidentit, ministrit të Drejtësisë, ministrit të Brendshëm të dënojnë autorin.

Marrë nga "Panorama"