Prindërit e një 19-vjeçareje nga fshati Sul i Devollit kanë denoncuar zhdukjen e vajzës së tyre, duke hedhur dyshime se mund të jetë trafikuar për shfrytëzim prostitucioni.
Vajza është larguar nga shtëpia prej 4 ditësh dhe familjarët e saj kërkojnë reagim më të shpejtë nga policia.
Prindërit e Eleni Sejdos thonë se ajo është mashtruar nga tezja e saj, që sipas tyre e ka trafikuar te një person me precedentë penalë në Korçë, i cili e mban jashtë dëshirës në një banesë në fshatin Mborje, transmeton “Ora News”.
“Këtë punë ia bëri kunata ime, Adriana Paja, me gjithë dhëndrin. Nuk e di fare ku e kanë çuar. Unë erdha në polici për të bërë ballafaqim me ata persona që e morën vajzën time dhe e shitën. Ata se morën mundimin fare. E kanë rrëmbyer dhe nuk dihet për se ka vajtur”, thotë babai i vajzës.
“Ju lutem shumë të më gjejnë çupën se më ka ikur në drejtim të paditur. Kam bërë me dijeni policinë, 129-n qoftë të Bilishtit, qoftë rrethin e Korçës, por nuk po më japin sqarim. Goca ime unë e di se është e shitur, është e shitur prej motrës sime”, thotë me lot në sy e ëma.
Prindërit e 19-vjeçares kanë akuzuar policinë lokale për neglizhencë, ndërsa kjo e fundit thotë se ka nisur hetimet.