Kate Moss ishte 14 vjeçe kur ra në sy në aeroportin JFK në New York dhe 16 kur pozoi për kopertinën e revistës britanike “The Face”. Lindsey Wixson ishte 13 vjeçe kur spikati si modele dhe në moshën 15 vjeçe u bë imazh i Miu Miu. Lily Cole, me një fytyrë kukulle, tërhoqi vëmendjen në moshën 14 vjeçare, kur dilte nga një fast food dhe 16 vjeç ishte fytyra e kopertinës së British Vogue.

Modelja Alesia Noka ka pak nga të gjitha këto…një portret që bëhet i paharrueshëm pasi e sheh qoftë edhe një herë, moshën fare të re kur ka hyrë në botën e modës dhe besimin e parametrat e duhur për t’u bërë e famshme. Pasi pozoi në setin më të fundit të Class Alketa Vejsiu, donim ta vinim edhe më shumë në pah, duke i dhënë kopertinën e saj të parë. Nuk është për t’u habitur që ky të jetë takimi me një modele super të suksesshme në të ardhmen. Në agjencinë e Icon e kanë quajtur të lindur për këtë profesion. Është ëndrra e saj që kur ishte fëmijë. 175 cm dhe portreti ekzotik, e ndihmojnë për ta jetuar këtë ëndërr…Dhe ja ku është! Me një portofol të pasur fotosh, përfshirë edhe ato të Fadil Berishës, gjatë Miss Universe Albania 2014, ku u klasifikua në pesëshen me të mirë, me disa pjesëmarrje në programe televizive, modelja 16-vjeçare rrëfen universin e fashion-it parë me sytë e saj. Por edhe të përditshmen e një vajze që, në shkollë, dikur mezi i flisnin, duke menduar se duke ardhur nga bota e modës, vinte nga një planet tjetër.

Cili ka qenë kontakti yt i parë me modën? Kush ta shtiu në mendje këtë ide?
Kontakti im i parë me modën në të vërtetë ka filluar në një moshë të vogël, kur isha rreth 13 vjeçe. Kushërirat e mia më sugjeruan Icon Agency ku ato kanë qenë edhe vetë më parë dhe e dinin që aty do të përmirësoja imazhin dhe do e rrisja figurën time si modele në të ardhmen. Dhe ashtu ndodhi vërtet. Kur fotografi dhe menaxherët e agjencisë më panë, më angazhuan menjëherë në një projekt të rëndësishëm që kishin në atë periudhë. Gjatë asaj vere sfilova me veshje të ndryshme të njohura në Summer Fest në Top Channel.

Po mësime për të sfiluar apo qëndruar para aparatit fotografik, a ke marrë gjatë kësaj kohe?
Natyrisht që kam marrë leksione si të pozoj apo si të eci gjatë një sfilate. Në provën e parë që kam bërë më thanë që isha e lindur për këtë gjë. Nuk kaluan as dy ditë dhe menjëherë u angazhova në projekte të rëndësishme.

Të pranohesh si modele që 13 vjeçe do të thotë të paktën të jesh shumë më e gjatë sesa shoqet e klasës. Çfarë komentesh ke dëgjuar në shkollë gjatë këtyre viteve?
Në moshën 13 vjeçare, kur ka filluar dhe karriera ime, unë kam qenë 1.73 cm e gjatë dhe kjo nuk më ka penguar për asgjë. Në fakt ishte një avantazh për mua pasi jo shumë vajza të moshës sime e kishin këtë gjatësi dhe mund të them që isha perfekt. Në shkollë të gjithë më shikonin me syrin që unë isha modele dhe nuk më fliste askush sepse mendonin që isha një vajzë “interesante”. Ndonjëherë thoshin diçka për mua pa më njohur dhe më vonë, kur më njihnin ndryshonin menjëherë opinion. Komente ka pasur dhe vazhdon të ketë pa fund. Kur kaloj në shkollë, fillojnë dhe më thërrasin “modele”, “velinë”, “vajza e Icon-it” etj., por shumica janë komplimente. Dikush një ditë në shkollë, më tha: “Nuk e mendoja kurrë që në shkollën tonë, do vinte një modele si ty dhe që do ishe një vajzë kaq e thjeshtë!”.  

Po familja si e ka pritur zgjedhjen tënde? Ke pasur mbështetjen e saj që në fillim?
Po, mbështetjen e familjes, por edhe të shoqeve të mia, e kam pasur gjithmonë pasi e kanë kuptuar që unë këtë që po bëj sot e kam ëndërruar që e vogël dhe ata nuk mund t’i thonë jo “ëndrrës” sime. Më kanë mbështetur duke më këshilluar gjithashtu çfarë të bëj dhe çfarë mos të bëj në raste të ndryshme.

Si është një ditë jotja e zakonshme? 
Dita ime e zakonshme nis duke shkuar në shkollë që është dhe objektivi im kryesor. Pas shkollës, unë jam nxënëse e Petro Nini Luarasit, kaloj një pjesë të kohës me miqtë, pasi janë pjesë e imja, më duket dita bosh nëse nuk shpenzoj qoftë dhe 5 minuta me ta. Bëj gjumin e drekës (ose siç e quan drejtoresha e agjencisë time  “gjumin e bukurisë” :)) të cilin e kam shumë të nevojshëm dhe pasi zgjohem më gjeni mbi libra, deri në darkë, duke mësuar duke qenë se jam dhe me provime këto kohë.

Përveç gjumit të bukurisë çfarë bën një modele 16-vjeçare për t’u kujdesur për trupin dhe portretin?
Të them të drejtën nuk është se jam e fokusuar në mbajtjen e dietave apo përdorimin e ushqimeve të veçanta, thjesht ushqehem me gjëra të shëndetshme ku kryesojnë perimet dhe filetot e pulës, por vaktin kryesor kam mëngjesin pasi është baza e gjithë ditës dhe mundohem që ta kem sa më të pasur dhe sa më të shëndetshëm. Gjithashtu, frekuentoj palestrën sa herë kam kohë dhe mundësi.
Ndërsa fytyrën e trajtoj me një kujdes të veçantë duke përdorur kremra dhe produkte kozmetike me përmbajte bimore dhe pse këto të fundit mundohem t’i shmang sa më shumë pasi në jetën e përditshme qëndroj natyrale pa nevojën e make up-it. Ky është sekreti për një fytyrë të pastër dhe të shëndetshme.

Të ka ndryshuar jeta që kur ke filluar të merresh me modeling? 
Po sigurisht që ka ndryshuar, madje shumë. Dhe ka ndryshuar për mirë. Më pëlqen jeta që kam tani, me sete, me sfilata, me njohje me njerëz të ndryshëm, dalje në televizione. Kam qenë gjatë gjithë vitit të kaluar e angazhuar në programin televiziv tepër të njohur, Telebingo Shqiptare, si velinë, dhe çdo gjë falë kësaj jete që po bëj tani… Shumë shpjet do jem dhe në një program të ri televiziv, por do e lë surprizë. Pra, kujt nuk i pëlqen kjo?!

Si e sheh të ardhmen në fushën e modelingut? 
Synoj të arrij majat e suksesit në këtë rrugë që kam nisur. Synoj të shkoj sa më lart dhe, duke e bërë punën time sa më mirë, deri tani, nuk kam pasur pengesa dhe nuk besoj të kem për të shkuar atje ku unë dua. Deri ku do shkoje për modën, a do pranoje edhe shërbime fotografike provokuese, siç janë nudot artistike etj.? Unë pranoj kërkesat që më duken më të arsyeshme, marr pjesë në to dhe më pas vjen pjesa e vlerësimit që është edhe më kryesorja. Në qoftë se pëlqehen punët e mia, më krijohen mundësi të reja dhe gjithçka nis nga e para.

Si funksionon në të vërtetë puna si modele? Kontratat vendosen nga agjencia? Po pagesat janë të kënaqshme?
Punët që më ofrohen kalojnë si fillim nga agjencia ime, diskutohet me kompanitë përkatëse dhe më pas kontratat i mbyll përsëri ajo. Me pagesat përsëri merret agjencia ime dhe nuk mund të them të kënaqshme apo jo pasi janë pagesa të caktuara për atë punë konkrete që unë mund të bëj.

Cilat janë sfidat më të mëdha për një modele?
Duhet të përballosh konkurrencën e fortë dhe të dish si të dalësh në krye duke pasur stil të veçantë dhe kreativitet.

Cilat janë pikat e tua më të forta? 
Unë kam vetëm një pikë të fortë dhe ajo është buzëqeshja me anë të së cilës kaloj çdo pengesë që më del përpara.

Puna jote më e fundit është seti për Class Alketa Vejsiu. Si u ndjeve gjatë shërbimit fotografik, e veshur me fustane të bardha?
Jo për t'u treguar e sjellshme, por më është dhënë një përkujdes i veçantë, ku në çdo moment kam ndier ngrohtësi nga ana e stafit dhe këtë ngrohtësi kam shfaqur dhe në fotot e realizuara. Jam ndier mirë me njerëzit që kam pasur rreth vetes të cilët më ndihmonin kur më shihnin në vështirësi, më ndihmonin ta kaloja me sportivitet kur nuk bëja dot diçka siç duhej apo nuk kuptoja diçka tjetër.

Po ditën kur do të vishesh me të vërtetë me një fustan të bardhë si e ke menduar?
Në fakt nuk e kisha menduar më herët ditën time të dasmës, para se të vishja fustanin e bardhë. Bashkë me shkëlqimin që të përcjell, më solli në mendje disa ide se si mund të realizohej dita që konsiderohet ëndrra e çdo femre. Tashmë fustanin e kam zgjedhur 🙂 ndërsa detajet do ia lë kohës. Mendoj se kam ende shumë kohë përpara për të krijuar idenë se do të jetë dita më e rëndësishme e jetës sime.

Cilat janë setet më të rëndësishme që ke bërë deri tani? 
Kam punuar me fotografë të mirënjohur shqiptarë, por setin më të rëndësishëm mund të quaj atë që kam bërë me Fadil Berishën për Miss Univers-in. Ka qenë një nga ata shooting që nuk do e harroj dot lehtë pasi emocionet e të pasurit përballë një ndër emrat më të dëgjuar të fotografëve të botës së modelingut, nuk janë emocione kalimtare, por emocione që mbeten gjatë në kujtesën tënde. Pastaj kam pasur sete fotografike të ndryshme në vendet e Jugut të Shqipërisë, ku mund të jem lodhur, por njëkohësisht dhe jam kënaqur pa fund. Nuk është aq e lehtë sa duket, të bësh një set fotografik. Ka lodhjet dhe kënaqësitë e veta çdo set, prandaj nuk mund të krahasohet se kush është më pak apo më shumë i rëndësishëm. Por unë kam diçka…mendoj sikur jam vetëm unë dhe aparati fotografik, askush tjetër. Fokusohem tek ai dhe çdo gjë del me sukses.

Cilat janë hobet e tua të tjera?
Hobe të tjera?! Aktrimi… Duke qenë se me kamerën jam mësuar, më pëlqejnë emocionet dhe “frika” që ajo më dhuron.

Mikeshat e tua janë gjithashtu modele, apo jo?
Disa prej tyre po, kam krijuar marrëdhënie të ngushta me mikeshat e mia të agjencisë, por pjesa tjetër të cilat i konsideroj më të afërta nuk i përkasin kësaj fushe.

Mendon të studiosh për një profesion tjetër që mund ta ushtrosh kur nuk do jesh më modele apo e imagjinon veten një modele karriere në çdo moshë?
Më pëlqen dega e Psikologjisë, por ende nuk e kam vendosur. Mendoj që do ta di më mirë kur të vijë koha për të zgjedhur degën e studimeve, por sigurisht që moda mbetet ëndrra ime më e madhe.

Intervista marrë nga Revista Class