Reali i Madridit ndoshta duhet t’i thotë lamtumirë titullit kampion në La Liga dhe t’i përqendrojë të gjitha forcat në Champions. Los Blancos barazuan 1-1 në fushën e Malagas dhe mbetën 9 pikë larg Barcelonës kryesuese. Kjo mbrëmje e Rosaledas do të mbahet mend për dy episode me protagonist Cristiano Ronaldon, që realizoi një gol në pozicion jashtë loje si dhe humbi një 11 -metërsh në pjesën e parë.
Në minutën e 33-të në zhvillimet e një goditjeje dënimi nga Los Blancos, Ronaldo shënon me kokë pas një goditjeje të lirë, por pamjet tregojnë qartë se portugezi ishte më i avancuar se mbrojtësit kundërshtarë në momentin e shkelmimit të topit. Vetëm pak minuta më pas, 31-vjeçari pengohet në zonë dhe për kryesorin nuk ka asnjë dyshim, është 11-metërsh. Goditjen nga pika e bardhë e merr përsipër vetë Ronaldo, por Kameni i kupton krahun.
Në pjesën e dytë Malaga sheh më shumë nga sulmi e ndikuar edhe nga dizavantazhi dhe pikërisht në minutën e 66 Welingon peshkon në zonë Raul Abentosen që godet me të parën duke mos i dhënë asnjë mundësi Keylor Navasit. Ky gol i dha më shumë siguri Malagas në lojën e saj, ndërsa të besuarit e Zidanë e patën të pamundur për të gjetur një gol të dytë që do t’u siguronte fitoren.
Një mbrëmje jo edhe për Atleticon e Madridit, që barazoi 0-0 me “Vicente Calderon” me Villarealin. Los Colchoneros nuk përfituan nga barazimi i Realit për të forcuar pozitat në vendin e dytë. Valencia ndërkohë fitoi 2-1 në transfertë me Granadan, duke iu afruar zonës europiane. Të gjitha golat e sfidës u shënuan në pjesën e dytë. Parejo dhe Mina i dhanë epërsinë e dyfishtë Valencias, ndërsa në minutat shtesë shkurtoi diferencën Mendez.