Pasi u arrestua për plagosje, deputeti Armando Prenga i është rikthyer Kuvendit, tre ditë pasi Gjykata e Lartë ndryshoi masën e sigurisë në detyrim paraqitje.
Pas ndërrimit të kësaj mase, avokati Haxhia i ka thënë Prengës se është i lirë t’i kthehet jetës parlamentare.
Kështu, këtë të hënë Prenga ndodhet mes deputetëve të tjerë, në seancën dëgjimore që po zhvillohet në Komisionin e Sigurisë me ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli, ku ai është anëtar.
I pyetur nga gazetarët, Prenga tha se është përjashtuar nga PS-ja, dhe nuk do të kthehet më aty, por theksoi se do të marrë pjesë rregullisht në komisione e Parlament.
Armando Prenga i kthehet jetës së tij si deputet, ndërkohë që anëtarët e familjes Cali që u plagosën e u kërcënuan nga ai, janë ende në burg.





