Teuta rikthehet te fitorja pasi dominoi në lojë dhe rezultat Tërbunin që ka hedhur një tjetër hap drejt Kategorisë së Parë. Durrsakët triumfuan 2-1 në “Niko Dovana” pas 90 minutave ku bënë gjithçka mirë për të marrë tre pikëshin që i afron në -1 nga Tirana në pritje të sfidës së bardhebluve në Korçë.
Skuadra e Maganit nuk e pati të vështirë për të marrë kontrollin e ndeshjes dhe këtë e bëri që në minutat e para pasi në të 7 Magani dha shkëndijën e parë, ndërsa pak sekonda më vonë Lena goditi drejt portës por topi u devijua. Ishte sërish Magani që në të 28-ën ishte shumë pranë zhbllokimit të rezultatit por topin në rrjetë e kaloi Bruno Dita 5 minuta më pas duke përfituar edhe nga dalja e gabuar e portierit Kuka.
Pukjanët nuk e shënjestruan asnjëherë gjatë fraksionit të parë portën e Teutës, ndërsa durrsakët tentuan edhe disa herë për të vulosur rezultatin por pa sukses. Ndeshja i bë edhe më interesante në fraksionin e dytë pasi në të 55-ën, Hodo kishte në këmbët e tij topin e golit të dytë por nuk arriti të realizonte, ndërsa 20 minuta më pas, Tërbuni ndëshkoi vendasit me golin e Karakaçit. Minutat në vijim folën vetëm për durrsakët që iu afruan golit por e gjetën suksesin vetëm në sekondat e fundit të takimit me Bruno Ditën që sigloi rrjetën e dytë personale me vlerë 3 pikëshi.
Një sukses i vuajtur për “Djemtë e Detit” që arrijnë të dalin me një fitore të vuajtur nga “Niko Dovana”, ndërsa Tërbuni zhytet edhe më shumë në fundin e klasifikimit duke menduar për Kategorinë e Parë.