Ky ndoshta është sezoni i fundit i kapitenit Francesco Totti te Roma. Pas më shumë se dy dekadave, sulmuesi duket i dorëzuar pasi gjatë këtij sezoni numëron vetëm 5 ndeshje dhe situata është rënduar edhe më shumë me ardhjen e trajnerit Spalletti. Humori i legjendës verdhekuqe është përtokë pasi atij i nevojiten minuta në këmbë dhe te Roma e tij kanë ardhur kohë të tjera.
Projekti i ri i presidentit Pallota e përjashton kapitenin që në Romë e lidh vetëm kontrata. “Ndihem ende një lojtar dhe dua të luaj. Dëmtimin e kam hedhur pas krahëve dhe nëse jam jashtë kjo ndodh vetëm për zgjedhje teknike. Fakti që qëndroj në pankinë më lëndon. E kuptoj që në moshën time duhet të luaj më pak por ta mbyll karrierën në këtë mënyrë është e vështirë”, u shpreh numri 10 në një intervistë për mediat italiane.
Më pas ai u ndal te marrëdhënia që ka me trajnerin aktual, duke theksuar se shpreson që të diskutojë me të për të vendosur pikat mbi “I”. Një batutë jo shumë të bukur kapiteni e adreson edhe ndaj presidentit Pallotta. “Pres që të jetë korrekt dhe drejtuesit të më sqarojnë situatën”, e përfundon intervistën e tij legjenda e klubit roman.