Pas letrës së një grupi të deputetëve e figurave të Partisë Socialiste, për respektimin e statutit të partisë, kryetari i Komisionit për Garancitë Statutore pranë PS, ka thënë se ata do të mblidhet brenda 30 ditëve. Kështu thotë në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com”, kryetari i këtij komisioni, Alket Hyseni. Ky i fundit sqaron se, komisioni përbëhet nga 9 anëtarë, dy prej të cilëve janë jashtë shtetit për arsye shëndetësore, ndërsa të tjerët janë përfaqësues të disa qarqeve të vendit.
Hyseni sqaron se për të për të shqyrtuar kërkesën e dërguar nga disa figura të PS, duhet parë nëse kërkesa ka të bëjë apo jo me vendime që i takojnë Kongresit apo Asamblesë Kombëtare. I pyetur se si e komenton deklaratën e Ben Blushit që ky Komision nuk ka mandat pasi i skaduar për shkak të moszgjidhjeve, Alket Hyseni dha këtë përgjigje: “Z.Blushi duhet të konsultohet më mirë me statutin. Besoj që z.Blushi është kontradiktor për sa kohë i është drejtuar Komisionit të garancive Statutore, që do të thotë që ai e njeh komisionin si organ legjitim. Nuk do të kishte sens nëse do t’i dërgohej me kërkesë dhe me shkresë një organi që nuk është legjitim.”