Shqiptari i arrestuar nga policia italiane bashkë me 27 personat e tjerë, të gjithë anëtarë të organizatës mafioze “Ndrageta” është Ismail Ferizi. Ai ishte pjesë e seksionit të organizatës kriminale që merrej kryesisht me grabitje.

Nga përgjimet e bisedave mes anëtarëve të bandës, përmenden edhe disa shqiptarë të tjerë të lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë.

Detajet e këtij fakti u zbuluan falë një hetimi pesë vjeçar të Prokurorisë së Antimafias Italiane, i cili filloi si rezultat i dy incidenteve të ndodhura në Sesto San Giovanni më 18 dhe 21 dhjetor 2012 pas një shkëmbimi zjarri mes bandave rivale të drogës.

Njëri prej pjesëtarëve të grupit që tashmë është i penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë, Luçiano Noçera, u tha autoriteteve italiane se disa vite më parë i kishte dërguar një politikani shqiptar një makinë të tipit BMW.