Do të quhet “SF16-H” Ferrari i Botërorit në Formula 1. Me shumë zona të bardha në tërësinë e saj, makina e Sebastian Fetel-it dhe Kimi Raikonen-it është e “dënuar” tashmë për të fituar dhe për t’i dhënë fund hegjemonisë së rivalëve të Mercedesit. Ferrari i sezonit të ri, që ngre siparin më 20 mars në Çmimin e Madh të Melburnit, u prezantua “on line” dhe sjell me vete pritshmëri të mëdha të një skuderie, së cilës i mungon titulli botëror për pilotë prej 2007-s, asokohe me finlandezin.
Shumë kohë pritje për miliona tifozë të “kokëkuqes”, të cilët kanë qenë të destinuar edhe të vuajnë. Por jo më pak edhe për presidentin Serxhio Markione, i cili prej kohësh është në këtë post ka rikompozuar thuajse gjithë organikën, ka shpenzuar miliona euro në shërbim të saj dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, ka vendosur edhe një ultimatum: të jenë fitues këtë sezon duke filluar nga Australia në hapjen e kampionatit. Një përgjegjësi e madhe për stafin teknik të udhëhequr nga Xhejms Alison. Ky është Ferrari i parë i projektuar tërësish nën drejtimin e tij teknik.
Gjithashtu një përgjegjësi e madhe edhe për dyshen e pilotëve, gjermanit Fetel dhe finlandezit Raikonen. Fetel fitoi tri gara në sezonin e tij debutues me Ferrarin, por edhe “Djaloshi i akullt”, i cili nuk duhet harruar në historinë e kësaj makine pasi, për herë të fundit, titulli botëror është fituar pikërisht prej tij. Një duet ky në emër të stabilitetit dhe i përqendruar plotësisht në qëllimin e madh. Të hënën do të vijnë edhe përgjigjet e para në testet e radhës parasezonale në pistën e Montmelos.
Ndërkohë prezantimi vjen një ditë pas 118- vjetorit të lindjes së Enco Ferrarit. Në përshtypjen e parë, Fetel u shpreh se makina e 2016- ës është e bukur dhe se tashmë duhet të bëjnë hapa përpara. “Është e bukur, kjo si rezultat i një pune të madhe. Tashmë mezi pres që ta provojmë në pistë. Por, jam i sigurt se ky do të jetë një fillim i madh. Ne jemi të përgatitur në një sezon që mund të jetë i jashtëzakonshëm”. Me nota optimizmi është shfaqur edhe Raikonen, ish-kampion bote me këtë njëvendëshe. “Është paksa më ndryshe nga ajo e vitit të kaluar. Pamja është fantastike. Ne kemi pritur kaq gjatë për këtë moment. Shpresojmë që të bëjmë një sezon të madh”.