Osman Stafa, kreu i PD-së së Durrësit, ka kujtuar sot me mall, dashuri e krenari ditën e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, këtu e 25 vite përpara.

Duke treguar respekt dhe mirënjohje për çdo student e qytetar që ishin pjesë e asaj lëvizjeje, Stafa falënderon fatin dhe kurajën që ishte dhe ai aty. Po po, nuk e lexuat gabim, Stafa falënderon fatin që i dha fatin domethënë të ishte pjesë e atij fati, dhe sigurisht nuk harron të falënderojë dhe kurajën që pati në atë kohë.

Kemi dëgjuar të falënderohen njerëz, organizata, institucione, shpeshherë dhe Zoti, për gjithçka të mirë që mund të ketë një njeri, por që të falënderohet fati dhe kuraja personale, sot po e dëgjojmë.

Në një status në “Facebook”, demokrati Stafa si fillim ngre një pikëpyetje që a ka qenë apo jo më 20 shkurt të vitit 1991 mes qindrave studentëve që rrëzuan ‘Enver Hoxhën’.

“Dhe unë isha aty!?”, shkruan Stafa, duke na lënë të kuptojmë që është konfuz dhe vetë me atë pikëpyetje dhe pikëçuditëse që përdor nga mbrapa fjalisë. Sigurisht që Stafa duhet ta dijë shumë mirë ka qenë apo jo, por gabimet drejtshkrimore që e shoqërojnë pothuajse në çdo status që publikon, janë të pashmangshme, të cilat në disa raste mund të krijojnë dhe konfuzion te ndjekësit e faqes së tij dhe këta të fundit mund të mos arrijnë të kuptojnë thelbin e mesazhit.