Ndërkohë që kryeministri Edi Rama ndodhej në një takim, në Korcë, duke shpërndarë tesera për anëtarët e rinj të PS, deputeti socialist Ben Blushi ka zhvilluar këtë pasdite një takim paralel në të njejtin qytet. Blushi bashkëbisedoi me qytetarët e Korçës, ku ka hedhur kritika ndaj lidershipit aktual të Partisë Socialiste. Blushi ka theksuar se “partitë tona nuk janë të hapura” dhe se “Shqipëria nuk bëhet kështu.”
“Fajin nuk e kanë qytetarët, por ata që zgjidhen,” – ka thënë Blushi, i cili i ka cilësuar si fyerje deklaratat e krerëve të qeverisë për qytetarët. “Qeveria thotë se po jep shumë punë, por qytetarët janë dembelë. Kjo është fyerje,” – është shprehur Blushi. Drejtësia ka qenë një tjetër çështje e prekur nga deputeti socialist. “Ka ardhur koha për drejtësi, sondazhet tregojnë se shqiptarët janë të dëshpëruar. Jemi populli më pesimist në Evropë bashkë me grekët,” – ka shtuar Blushi.





