Një 53-vjeçar i lindur në Napoli u dënua me 4 vite e 4 muaj burg, pasi kishte mashtruar një shqiptare me premtimin e një jete më të mirë në Itali, ndërkohë që nisi ta keqtrajtonte dhe e detyroi të prostituonte.

Vincenzo Caianello, kishte bindur nënën shqiptare të dy djemve të moshës 11 dhe 8 vjeç, që të shkonte me të në Itali. Sapo mbërriti në Eboli, ai nisi ta rrihte e ta torturonte shqiptaren, madje e nxori edhe në rrugë për të prostituuar.

Italiani i kishte folur për kushtet e mira që e prisnin gruan në Itali, dhe madje ajo kishte marrë me vete edhe dy fëmijët e saj nga martesa e parë, por ata u detyruan më pas të flinin në tokë. Ata nuk mund të dilnin jashtë dhe nuk duhet të shkonin në shkollë. Madje Caianiello ua fikte televizorin kur ata donin të shihnin filma vizatimorë. 

Sipas medieve të vendit fqinj, burri e lidhte gruan në shtëpi për ta detyruar të kryenin praktika seksuale ekstreme dhe kërkonte të kishin marrëdhënie në çdo moment të ditës. E dhunonte, madje rrahjet bëheshin edhe në prani të fëmijëve. Ai e rrihte në qoftë se ajo nuk donte të prostituonte dhe madje e kishte mbajtur për vete pasaportën e saj dhe të fëmijëve për të mos pasur mundësi që të iknin.

Caianiello u arrestua në nëntor të vitit 2014 dhe tani vuan dënimin në burg.