Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për ish-ministrin Spiro Ksera, i akuzuar për vjedhje duke shpërdoruar detyrën. 

Avokati i tij mbrojtës Genc Gjokutaj e ka quajtur vendimin e shkallës së parë në shkelje të ligjit.

“Në mbi një vit hetim Ksera nuk është thirrur asnjëherë në pozitën e ish-ministrit. Por edhe në momentin e ndalimit, prokurori kishte detyrim ta pyeste në cilësinë e të ndaluarit”, deklaroi avokati.

Vetë ish-ministri u shpreh se nuk është person i rrezikshëm, ndërsa e quan të pavlefshëm hetimin.

“Masa është shumë e rreptë, jam ndër të tjera familjar, kam 3 fëmijë, besoj se fëmijët kanë nevojë për prindërit, kam një bashkëshorte, jetojnë në periferi të Shqipërisë, në Dervican të Gjirokastrës dhe asnjë herë s’kam menduar që t’i shmangem hetimeve, që të iki jashtë Shqipërisë. Jam i hapur të hetohem e të gjykohem, por jo në burg”, ka thënë Ksera gjatë gjyqit.

Ish-ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta  u arrestua më 28 janar në Gjirokastër. Ksera akuzohet se në bashkëpunim me ish-drejtorin e Kabinetit, Kleves Bitro, si dhe zyrtarë të tjerë, kanë vjedhur 30 milionë lekë nga buxheti i shtetit.