Partia Demokratike ka akuzuar sërish sot kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliajn, në lidhje me ndërtimin brenda Parkut të Liqenit. Në një dalje për mediet nga selia blu, deputetja Jorida Tabaku deklaroi se Veliaj po fsheh qëllimin e tij kryesor klientelist e korruptiv, pasi aty do të ndërtohet një restorant dhe një lokal që do ia japë mikut të tij.

PD paraqiti dhe pjesë nga projektet e masterplanit, ku parashikohet ndërtimi i objekteve në fjalë.

“Kryetari i Bashkisë përpiqet ta fshehë këtë, me pro​pagandë bajate sikur ai dhe vetëm ai mendon për fëmijët e qytetit. E vërteta është se ai po mendon për klientelën dhe përfitimet e tij.

Veliaj ka parashikuar ndërtimin e objekteve të shërbimit që janë kafe, restorant, kioske për gazetat.

E gjithë skema e tij ka qenë jo transparente.

Po në veçanti këtë kioske-kafe-restorant Veliaj është munduar t’ia fshehë publikut.

Kjo aferë ka dhe kosto financiare përveç të tjerash, me faturë 500 mijë euro nga taksat e banorëve të Tiranës”, deklaroi Tabaku.