Ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj, teksa ka marrë pjesë në analizën vjetore të punës së Inspetoratit Shtetëor Shëndetësor, ka lavdëruar punën e kryer në Tiranë për të ndaluar konsumimin e duhanit në mjediset publike të mbyllura, ndërkohë që ka kërkuar më shumë punë nga inspektorët në Shkodër, Lezhë dhe Gjirokastër.

“Nuk është qëllimi jonë që të vendosim gjoba, – tha ministri Beqaj. – Por, ama, nuk mund të them të njëjtën gjë në qarqe të tjera. Dhe, minimalisht, unë jam i pakënaqur nga zbatimi i këtij ligji në tre qarqe, në Shkodër, në Lezhë dhe Gjirokastër. Drejtuesit, por edhe trupat inspektuese të këtyre tre qarqeve, kanë afat deri më 31 mars. Në qoftë se në gjashtë javët që kanë mbetur nuk bëjnë ndryshim radikal të zbatimit të ligjit, nga inspektori e tek e gjithë trupa inspektuese, me status apo pa status, me shërbim apo pa shërbim civil, puna jonë ballafaqohet tek qytetarët.”