Kukësi në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë për të 4-tin sezon rradhazi. Verilindorët përmbysën humbjen 1-0 të ndeshjes së parë duke triumfuar me rezultatin 2-0 ndaj Teutës në Zeqir Ymeri.Një takim i vendosur nga mbrojtja pasi ishin pikërisht dy titullarët e qëndrës së prapvijës kukësiane, Ylli Shameti dhe Renato Malota ata që realizuan golat e kualifikimit për Kukësin. Një kualifikim i arritur në një moment të vështirë që mund të shërbejë si një pikë kthese për sezonin e Kukësit. Tashmë trajneri Klodian Duro mund të ndihet më i qetë.

Kukësi e dëshironte me cdo kusht kualifikimin dhe për këtë arsye presidenti Safet Gjici kishte hapur dyert e stadiumit për të patur një mbështetje sa më të madhe nga tifozeria kuksiane.Në Zeqir Ymeri sfida nisi me verilindorët me kërkues. Gjithsesi skuadra e Duros e kishte të vështirë të gjente hapësira në mbrojtjen e Teutës, dhe minutat e para i shërbyen më shumë Kukësit për të studiuar lojën e kundërshtarit. Rastin e parë të vërtetë në këtë sfidë Kukësi e krijoi në minutën e 20-të. Kroati Matija Dvornekovic përfitoi nga një top i mbetur në zonë duke goditur fluturimthi, megjithatë tentativa e tij mori kundërpërgjigjen e shkëlqyer të Shpëtim Mockës.Nuk vonoi shumë dhe verilindorët arritën të zhbllokonim shifrat me Ylli Shametin.

Krosim i Biringuetës nga këndi, në qëndër të zonës Ylli Shameti kërceu më lart se të gjithë dhe me një goditje të saktë me kokë realizoi golin e epërsisë për Kukësin. Festë e ligjshme në shkallët e Zeqir Ymerit pas këtij goli të qëndërmbrojtësit gjirokastrit. Vetëm disa sekonda më pas Izair Eminit iu paraqit mundësia e golit të dytë por goditja e sulmuesit shqiptaro-maqedonas nga një pozicion i prirët pas asistit të Dvornekovic ishte e dobët dhe u prit pa vështirësi nga Mocka. Për të parë një rast të Teutës në këtë sfidë duhej pritur minuta e 43-të, kur Njijas Lena tentoi nga limitet e zonës por goditja e tij përfundoi jashtë. Edhe pas pushimit Kukësi kishte më shumë inciativë. Në minutat e para të pjesës së dytë Izair Emini pretendoi për një penallti por arbitri kryesor Lorenc Jemini lejoi vazhdimin e lojës. Në të 61-tën ishte rradha e Eri Lamces për të provuar goditjen drejt portës së mbrojtur nga Koci, por goditja me kthesë e futbollistit të Teutës ishte pasaktë. Frika e pësimit të një goli që do ti nxirrte jashtë Kupës bëri që të dyja skuadrat të ishin shumë të kujdesshme gjatë minutave në vazhdim dhe ritmi i lojës ra ndjeshëm. Në të 80-tën gjithsesi provoi Dvornekovic por goditja e tij me kokë ishte e gabuar.Në të 85-tën provoi edhe i sapofuturi në lojë braziliani Jean Carioca, por goditja e tij ishte tërësisht e pasaktë.Megjithatë për të ngritur peshë të tifozët e shumtë në Zeqir Ymeri mendoi një tjetër qëndërmbrojtës pikërisht kapiteni Renato Malota i cili përfitoi nga një dalje e gabuar e Mockës pas harkimit të Erick Flores duke realizuar golin e dytë dhe atë të kualifikimit për Kukësin.

Në minutat e mbetura reagimi i Teutës mungoi dhe vërshëllima e fundit e Jeminit vulosi kualifikimin e Kukësit në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Pas 2 finaleve të humbura në 2 sezonet e fundit ndaj Flamurtarit dhe Lacit për Kukësin ndoshta ky mund të jetë viti i duhur për të triumfuar në këtë kompeticion.