Partia Demokratike ka denoncuar sot emërimet e reja në qeveri, emërime këto të ndërmarra nga kryeministri Edi Rama që, sipas selisë blu, janë dëshmi të promovimit të personave me rekorde kriminale. Lulzim Basha, kryetari i partisë Demokratike, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, tha se "veprimet e kryeministrit shkojnë plotësisht në drejtim të kundërt, madje janë një sfidë e hapur ndaj mesazheve që dha miku amerikan në vizitën e tij në Tiranë."
"Akoma pa u ngritur nga Rinasi avioni i sekretarit të shtetit, kryeministri Edi Rama, autori i promovimit të individëve me rekorde kriminale në politikë dhe në poste të larta, përgjegjësi numër një për korrupsionin galopant në vend, ndërmori me nxitim disa gjeste dhe veprime të menjëhershme që shkojnë plotësisht në drejtim të kundërt, madje janë një sfidë e hapur ndaj mesazheve që dha miku amerikan në vizitën e tij në Tiranë, – tha Basha. – Gjesti i parë, u kujdes që ish-deputeti i tij i Lezhës, i larguar nga Kuvendi për dënimin që ka marrë nga gjykatat italiane si trafikant i qenieve njerëzore, të prezantonte në një ceremoni prefektin e ri të Qarkut të Lezhës. Gjesti i dytë ishte dalja demonstrative në Kavajë dje përkrah Elvis Roshit, një tjetër subjekt i njohur ndërkombëtarisht i ligjit të dekriminalizimit dhe tallja publike me rekordet e tij… Por, karshillëku ndaj mesazheve të vizitës historike të zotit Kerry shënoi një kulm me të ashtuquajturat ndryshime në qeveri e në radhë të parë me emërimin e Arben Ahmetajt në postin e ministrit të financave, një akt që ka ngjallur indinjatë në mbarë opinionin publik për shkak të rekordeve që ka ky ministër si i përfshirë në afera korruptive të njëpasnjëshme. Një akt që ka shkaktuar ilaritet në shumë qarqe politike ndërkombëtare që merren me Shqipërinë."





