Pas lëvizjeve të fundit në kabinetin e ministrave, nuk kanë munguar dhe reagimet nga opozita. Pas kreut të PD-së Lulzim Basha, i cili e konsideroi shkarkimin e ministrit Cani si kurban të Ramës, vjen dhe një reagim nga deputeti Igli Cara.
Në një prononcim për “DurrësLajm”, deputeti demokrat tha se ky vendim nuk e shpëton Ramën nga problemet e shumta të tij.
“Dështimi terësor i politikave të kësaj mazhorance Rama – Meta, aferat korruptive, paaftësisë etj., janë arsyet e vërteta të varfërisë, emigracionit, rritjes së papunësisë e mbi të gjitha vrasjes së shpresës për shqiptarët”, tha Cara.
Sipas deputetit të Durrësit, duhet rrëzuar e gjithë qeveria. “E kuptueshme, që këtë do ta bëjnë qytetarët”, përfundon reagimin e tij Cara.
Kryeministri Rama sot hoqi nga detyra e ministrit të Financave Shkëlqim Canin, të cilin e zëvendësoi me ministrin e Ekonomisë Arben Ahmetajn. Ndërsa, në krye të Ministrisë së Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes emëroi Milva Ekonomin, zv.ministren e Shëndetësisë.
S.L.





