Kryetari i PS-së Edi Rama u pyet mbrëmjen e së hënës nga gazetarja Rudina Xhunga për kritikat e deputetit Ben Blushi. Kreu i qeverisë tha se nuk dëshiron të komentojë socialistët, qofshin ministra, qofshin deputetë, qofshin anëtarë partie, kur kanë këndvështrime të ndryshme me të. Ambicien e Blushit për kryetar të PS-së, Rama e konsideroi si një lodër që nuk ka kohë të luajë, pasi kohën për lodrat ia ka rezervuar Zahos, djalit të tij të vogël.
Ajo që ndodhi në Elbasan, ku Blushi dhe Balla shkëmbyen replika para kamerave, sipas Ramës prishi imazhin e zgjedhjeve brenda partisë.
“Është farsë të shash nga jashtë partinë dhe pastaj të thuash që më dhimbset. Nëse kam apo jo kohë të merrem me PS-në, këtë e gjykon PS-ja dhe jo një person nga jashtë dhe ata që shajnë PS-në nga pozicione të ndryshme. Dhe që gjoja iu dhimbset PS-ja. Kjo është një farsë”, tha Rama.





