Opozita paraqiti në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat një projektligj, i cili u jep energji falas 82 mijë familjeve që marrin ndihmë ekonomike. Drafti, i propozuar nga deputeti demokrat Gerti Bogdani, parashikon që familjet e varfëra të marrin 90 kilovat/orë energji falas në muaj nga qershori në tetor dhe 150 kilovatë për gjashte muajt e tjerë më të ftohtë të vitit.

"Sado të duket një kosto shumë e madhe, nuk është më shumë se 400-500 milionë lekë në vit. Kërkon vetëm vullnet dhe identifikim të familjeve në nevojë. Kostoja për mendimin tim nuk është problem." – deklaroi deputeti demokrat Ridvan Bode.

Por, deputetët e maxhorancës thanë se, përpara miratimit në Komisionin Parlamentar per Ekonominë dhe Financat drafti duhet të marrë më parë dakortësinë e qeverisë dhe Komisonit Parlamentar per Punen, Çështjet Sociale dhe Shendetesine, i cili është edhe përgjegjës. "Një nga rregullat që ka parlamenti është ky: mblidhet komisioni përgjegjës, hap diskutimin, dhe mundet edhe të vendosë, dhe pastaj kërkon mendimin nga ne. Këtu ka ndodhur e kundërta," – deklaroi anëtari socialist Anastas Angjeli.

Pak ditë më parë, edhe Avokati i Popullit kërkoi lehtësim të familjeve të varfëra nga faturat e energjisë.