Një krizë pa fund, me vetëm 9 pikë të grumbulluara në 8 ndeshje të zhvilluara. Përtej protestave për gjykimin dhe heshtjes për shtyp të vendosur, nuk mund të anashkalohet momenti i vështirë i zikaltërve. Repartet janë të shkëputur në fushë, ndërsa mbrojtja i lejon kundërshtarëve më tepër hapësira. Mjafton të kujtosh se në katër ndeshjet e fundit, Interi ka pësuar 5 gola me kokë. Deri në këto momente, mbrojtësit zikaltër dominonin luftën në ajër, duke mos pësuar asnjë rrjetë me kokë.

Në javët e para të kampionatit Interi kishte pësuar vetëm 5 gola, duke e mbajtur të paprekur portën në katër raste. Por, në fazën e dytë, zikaltërit kanë pësuar 10 herë dhe vetëm një ndeshje e kanë mbyllur pa lejuar gol.Shpërqendrimet kanë rezultuar fatale, duke bërë që skuadra e Mancinit të humbasë vende në renditje, pasi për disa javë ishte e vetme në krye. Probleme shfaq edhe mesfusha, ky Brozovic është lojtari më i spikatur, edhe pse kroati nuk ka vazhdimësi në paraqitje. Një hallkë e dobët e Interit duket mbi të gjitha sulmi.

Përveç Palacio-s, që krijon hapësira, vrapon dhe ndihmon mbrojtjen, të gjithë të tjerët janë në bankën e të akuzuarve. Eder i afruar në merkaton e Janarit nuk është përshtatur ende me mekanizmat e skuadrës dhe vuan në kombinimet me Icardin, një tjetër lojtar që nuk ka rendimentin e sezonit të kaluar.

Roberto Mancini duhet që sa më shpejt të gjejë një zgjidhje. Pas diferencës me 4 pikë, Interi nuk mund ti lejojë vetes të shkëputet më tepër nga vendi i tretë, por as të humbasë vendin e pestë. Kualifikimi në kupat e Europës është objektiv i detyrueshëm për një skuadër që në gjysmën e parë të sezonit ëndërroi titullin kampion.